Limaj për ndalimin e zyrtarëve të Qeverisë: BE duhet të reagojë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëdrejtues i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë, ka reaguar pas ndalimit të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës në vendkalimin kufitar të Dheu i Bardhë.

Limaj ka thënë se Serbia po vazhdon avazin e vjetër, duke maltretuar e keqtrajtuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo ndalesë, sipas tij, shpërfaq edhe njëherë tjetër tendencën dhe qëllimin e Serbisë për të penguar integrimin e serbëve në Kosovë.

Limaj në një shkrim në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka thënë se autoritetet në Serbi po duan t’i frikësojnë dhe shantazhojnë qytetarët serbë për të marrë përgjegjësi në institucionet e Kosovës.

“Është e papranueshme nga një vend kandidat për t’u integruar në BE të provokoj dhe të sillet në këtë formë. BE duhet të reagoj dhe të mos toleroje sjellje të tilla”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Sot në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë janë ndaluar nga autoritetet serbe, Srdjan Jovanoviq këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Srecko Spasiq, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural./RTV21