Limaj: Mbrojtja nuk i Ka të Gjitha Shkresat
Në gjykimin për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar Fatmir Limaj thotë se mbrojtja nuk i ka të gjitha shkresat e lëndës.
Limaj u ankua për mungesë të të gjitha dosjeve të tenderëve të cilët përmenden në aktakuzën e konsoliduar për kohën kur ai ishte ministër i Ministrisë së Transportit dhe Postës e Telekomunikacionit.
Limaj tregoi se mbrojtjes i mungojnë dokumentet që përmenden se janë në regjistratorin numër 48, ndërsa sipas tij mbrojtja ka vetëm 42 regjistratorë.
Kreu i Nismës tha se nuk mund të vazhdohet me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, pa i pasur mbrojtja të gjitha provat mbi të cilat është ndërtuar aktakuza.
Edhe Bajram Tmava, avokati i Nexhat Krasniqit tha se i mungojnë prova që përmenden në aktakuzë, duke thënë se për këtë çështje ka dorëzuar një parashtresë.
Por prokurori Charles Hardaway reagoi duke thënë se mbrojtjes ia ka dorëzuar të gjitha materialet që janë pjesë e aktakuzës. Hardaway tha se avokati Tmava mund të ketë probleme me teknologjinë.
Ndaj këtyre fjalëve reagoi përsëri Limaj, duke thënë se mungesa e materialeve është problem i tërë mbrojtjes.
Pastaj prokurori Hardaway tha se i di detyrimet e prokurorisë, por mund të ketë ndodhur ndonjë problem teknik që mbrojtja nuk i ka marrë të gjitha shkresat.
Sot pritet ta vazhdojë dëshminë Betim Reçica, një punonjës i ish-Ministrisë së Transportit. Aktualisht është dhënë një pauzë prej 30 minutash.
Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka që akuzohen për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar, u deklaruan të pafajshëm më 3 dhjetor, pasi iu lexua aktakuza e konsoliduar për dy rastet e bashkuara që lidhen me ish-Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit.
Më 4 dhjetor prokurori Charles Hardaway kërkoi kërkoi dënimin e të akuzuarve duke thënë se ata po ngarkohen për korrupsion që e cilësoi kancer të Kosovës.
Po atë ditë, avokati i Limajt Tahir Rrecaj tha se prokurori nuk paraqiti ndonjë fakt konkret.
Më 30 nëntor Limaj aktakuzën e ngritur ndaj tij e konsideroi të ngritur me urdhër politik.