Limaj flet për rolin e Listës Serbe në platformën e dialogut

Zëvendëskryeministri, njëherësh bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror të Kosovës për dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj ka thënë se Lista Serbe nuk ka qëndrim të vetin politik, por të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Limaj këtë deklaratë e dha gjatë debatit publik me temë “Platforma e Kosovës për dialog – realiteti apo fundi i dialogut?”, që u mbajt sot në Çagllavicë.

Limaj kur u pyet nga KALLXO.com për rolin e Listës Serbe në procesin e dialogun dhe platformën e palës së Kosovës, tha se kjo temë u takon vet qytetarëve serb që ta diskutojnë.

“Besoj që kjo u takon vetë bashkëqytetarëve tanë serbë  të flasin për këtë temë. Po të isha unë e kisha filluar një debat shumë të thellë brenda intelektualëve, elitës politike të komunitetit serb në Kosovë ku jemi. Më shumë sot vendos Beogradi për serbët këtu, sesa që ka vendos në kohën e viteve 90-ta. Lista Srpska vullnetarisht e ka bartur edhe [thotë] për neve fol Vuçiqi në dialog”, tha Limaj.

Zëvendëskryeministri shtoi se do të donte që në tavolinë të bisedimeve në Bruksel të ishin edhe serbët e Kosovës.

“Nuk ka një kolorit të mendimeve, ata që janë në opozitë ju po e shihni se në çfarë presioni janë, sinqerisht më vjen keq, unë e di që ndoshta edhe ata janë në pozitë të vështirë nuk mund ta trajtojë. Dhe kjo është fatkeqësisht situata. Do të doja të ishte ndryshe, do të doja të ishim bashkë këtu dhe në tavolinën e bisedimeve si Kosovë ne bashkë dhe natyrisht si institucione të Serbisë”, u shpreh ai.

“Ka pas filluar shumë mirë [bashkëpunimi me Listën Srpska] nga 2008-ta ai ka qenë dialogu ynë, komunikimi ynë i brendshëm, fatkeqësisht hapat që i kemi bërë 2008-2010 jo që s’janë avancuar përpara po janë kthyer mbrapa besoj në integrimin e bashkëqytetareve tanë për të marr përgjegjësi në nivelet lokale dhe qendrore”, theksoi ai.

Limaj  shtoi e se kupton pozicionin e deputetëve të atij subjekti politik.

“Ata natyrisht kam kolegë i respektoj për angazhimin në punët e tyre dhe mundohemi me e kuptuar pozicionin e tyre por në fakt Lista Serbe s’ka mendim politik, ka mendim të Vuçiqit, Lista Srpska nuk ka qëndrim politik të vetin, por e ka të Vuçiqit”, tha Limaj.

Bashkryesuesi i negociatave me Serbinë tha se në delegacion kanë pjesëtarë të komunitetit boshnjak, turk por jo edhe atij serb.

https://kallxo.com/kosova-me-qendrim-te-qarte-per-fundin-e-dialogut-pikenisja-e-serbise-nuk-dihet/