Ilustrim
Projektligji për Shërbime Emergjente në Fazën Përfundimtare
Projektligji për Shërbime Emergjente është në fazën përfundimtare të amandamentimit, ka thënë anëtari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Hatim Baxhaku, sipas të cilit në punët e amendamentimit kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Shërbimit Emergjent qendror.
Baxhaku k a thënë se ekzistojnë disa probleme rreth formulimeve të Shërbimit Emergjent Paraspitalor apo siç quhet shërbimi emergjent i nivelit të parë. “Aty ka probleme më së shumti dhe aty mungon infrastruktura më së shumti”, ka thënë ai.
“Nëse do ta kishim bërë një shërbim emergjent sipas standardeve evropiane dhe sipas nevojave do të kishte implikime buxhetore. Prandaj, ne po mundohemi të gjejmë një zgjidhje e cila do t’i përshtatet infrastrukturës që e kemi momentalisht dhe me sa më pak implikime buxhetore ta bëjmë një projektligj, i cili do të sigurojë një shërbim emergjent efikas”, ka thënë Baxhaku.
Deputeti Hatim Baxhaku ka përmendur si problem kryesor mungesën e shërbimit emergjent paraspitalor. Ai përmendi faktin se aktualisht çdo i lënduar në fatkeqësi komunikacioni bartet me automjete civile nga personat që kanë qëlluar rastësisht në vendin e aksidentit e që nuk është bartje profesionale. E synimet e shërbimit emergjent modern sipas tij janë që prej momentit të lëndimit deri të ofrimi i shërbimit mjekësor profesional të shkurtohet koha nga 10-15 deri në 20 minuta maksimalja.
Lidhur me këtë çështje, drejtori i Qendrës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, tha për KALLXO.com se Kosova ende nuk e ka sistemin e integruar të shërbimeve emergjente mjekësore.
Sipas Lenjanit, Ligji për Kujdesin Emergjent Mjekësor i vitit 2005 ka pasur shumë mangësi, ndërkohë që Ligji i Shërbimit Emergjent, i plotësuar dhe i ndryshuar, parasheh ndërtimin e sistemit të integruar të shërbimeve emergjente dhe jep qartë rolet, përgjegjësitë, obligimet për nivelin parësor, se si duhet të organizohet kujdesi emergjent mjekësor, në qendrat e mjekësisë familjare, në spitale regjionale dhe në Qendrën Klinike Universitare.
Po ashtu, ky Ligj, sipas Lenjanit parasheh bashkëpnimin brenda sektorit qeveritar, bashkëpunimin me forcat e sigurisë, me policinë, me menaxhimin e situatave emergjente, zjarrfikësit, prandaj ky Ligj i plotëson standardet aktuale për shërbime emergjente mjekësore.
Gjithashtu, Basri Lenjani tha se Ligji e obligon shtetin që të krijojë kapacitete hapësinore, staf, hapjen e vendeve të reja të punës, pajisje mjekësore, barna, material shpenzues dhe parasheh që qytetarët të kenë qasje 24 orë pa ndërprerë.