Ligji për duhanin nuk respektohet as në Ditën Botërore kundër tij - Pamje

Duhani është një prej shkaktarëve më të mëdhenj të vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit. Në Kosovë prej datës 22 maj të vitit 2013, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi.
Me të hyrë në fuqi ligji ishte zbatuar në masë të madhe por pas një kohë filloj të bjerë entuziazmi dhe ligji për duhan të mos respektohet më në masë të madhe. Në ditën botërore kundër duhanit në Kosovë vazhdon të mos ketë zbatim të plotë ligji i vitit 2013.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha për KALLXO.com se nga hulumtimet e Institutit del se duhanpirja pasive është zvogëluar, por sipas Ramadanit prapë mbetet shqetësim për institucionin që ai drejton edukimi i masës dhe të rinjve për duhanpirje.

“Mbetet të zhvillohen programe kundër pirjes së duhanit me fokus te fëmijët parashkollor dhe shkollor për të parandaluar fillimin e hershëm të duhanpirjes. Krahas kontrollit të duhanpirjes në ambiente të mbyllura të ngritet vetëdija për dëmet që shkakton duhani ne organizmin e njeriut”, tha Ramadani.

Nga ana tjetër Arben Lila nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC) tha se bilanci i zbatimit te Ligjit për Kontrollin e Duhanit me vitin e kaluar fatkeqësisht është negativ.

“Raporti i progresit për Kosovën i publikuar pardje përsëriti që “Kosova ka një Ligj gjithëpërfshirës të Kontrollimit të Duhanit, por niveli i zbatimit të tij ka vazhduar të bjerë, për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe performancës së dobët të autoriteteve zbatuese”, tha ai.