Ligji për dialogun përfundon në Kushtetuese

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për dialogun me Serbinë.

Albulena Haxhiu nga ky subjekt politik ka thënë se pas miratimit në lexim të dytë, dhjetë deputetë mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.

Ndërsa, Time Kadriaj e AAK-së, pret që edhe opozita të japë kontributin e saj, në mënyrë që të bëhet një ligj i mirë dhe i zbatueshëm.

Projektligji për kompetencat dhe përgjegjësitë e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë ka kaluar në lexim të parë në seancën e javës së kaluar, ndërsa tani është në procedurë të leximit të dytë.

Por, pas leximit të dytë, ai pritet të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se do ta bëjë këtë bashkë me 10 deputetë, ndonëse shprehet skeptike për sa i përket vendimit objektiv të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne do ta shfrytëzojmë atë të drejtë, në momentin që Qeveria nuk tërhiqet, pra, vazhdon me këtë projektligj skandaloz. Atëherë ne nuk kemi tjetër alternativë, përveçse ta shfrytëzojmë edhe një mekanizëm tjetër siç është Gjykata Kushtetuese. Por natyrisht, nuk është se kemi shpresa që Gjykata Kushtetuese do të veprojë drejtë”, ka thënë Haxhiu për Radio Kosovën.

Nënkryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadriaj, ka thënë se gjatë kësaj periudhe projektligji mund të plotësohet dhe të bëhet i zbatueshëm.

Ajo ka thënë se deputetët dhe anëtarët e komisionit mund të bëjnë një ligj shumë të mirë ndërmjet dy leximeve. Në këtë drejtim, pret edhe kontributin e opozitarëve.

“Po, unë besoj që po. Besoj që do të përfshihet. Tash të shohim. Në mbledhjen e radhës të komisionit do të caktohet grupi punues, i cili do të merret me amendamentimin e këtij projektligji”, ka thënë Kadriaj.

Albulena Haxhiu, që e udhëheq Komisionin Parlamentar për Legjislacion, ka konsideruar se nene të caktuara të këtij projektligji janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. A

jo ka thënë se neni që flet për parimin “lex specialis” është një prej tyre, pasi ka për qëllim që të dalë mbi Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare dhe mbi nenin 18 të Kushtetutës.