Ligjet për Barazi në Kosovë Mbeten në Letër
Një raport i publikuar sot konkludon se ndonëse shumica e direktivave dhe koncepteve nga BE-ja për barazinë gjinore të BE-së janë transferuar në legjislacionin e Kosovës, ligjet nuk po zbatohen.
Një raport i Rrjetit të Grave të Kosovës, duke vlerësuar shkallën në të cilën ligjet e Kosovës janë në përputhje me legjislacionin e BE-së për barazinë gjinore, thotë se legjislacioni në Kosovë lidhur me gjininë nuk po zbatohet.
Raporti paralajmëron se nuk dihet edhe nëse Kosova po përmbush standardet e veta ligjore në disa fusha, për shkak të mungesës së të dhënave statistikore.
Megjithëse ligji i Kosovës tani kërkon që punëdhënësit të paguajnë burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë për të njëjtën punë, nuk dihen rezultatet e Kosovës në këtë fushë për shkak të mos ekzistimit të indeksit të diferencës së pagave gjinore.
Një problem shtesë është përdorimi i kontratave të punës tre deri në gjashtë muaj. “Nëse gratë mbeten shtatzënë në një kohë të shkurtër, ato nuk kanë mbrojtje të punësimit siç parashihet me” barazinë gjinore të BE-së”, thuhet në raport.
Raporti gjithashtu thotë se nuk ka të dhëna nëse koncepti i BE-së për skemat e sigurimeve shoqërore në punë po zbatohet në praktikë.
Nita Luci, profesoreshë universiteti për studimet gjinore, tha se përveç mangësive institucionale, mungesës e mekanizmave për zbatimin e ligjit, pengesa kryesore është mosrespektimi i ligjeve për barazi gjinore.
“Shumica e liderëve në institucione dhe shumica e vendimmarrësve janë burra dhe funksionojnë në bazë të vlerave patriarkale, të njëjtat vlera që i vendosën në ato pozita”, tha ajo për BIRN.
“Ata [vendimmarrësit] marrin për bazë se ata meritojnë pozicionet e tyre dhe i shohin gratë si të padenja, por si një përmbushje numerike, e cila më pas e minon ligjin”, shtoi ajo.
“Duhet të ketë një vullnet politik për zbatimin e ligjeve. Kjo çështje nuk shihet si shumë e rëndësishme. Ky është një nga problemet”, vuri në dukje Luci.
Ajo i referohej shembullit të nevojës së grave për të pasur pronën e tyre, nëse ato kanë ndonjë pozitë për të marrë hua.
“Edhe në institucionet arsimore ka shumë paragjykime, ekzistojnë shumë përjashtime të bazuara në gjini”, vuri re ajo.
Raporti thotë se organet e barazisë në Kosovë duhet të forcohen. “Agjencia për Barazi Gjinore duket se nuk ka fuqi të mjaftueshme dhe burime adekuate për punën e saj”, thuhet në raport.
Raporti gjithashtu nënvizon nevojën për të trajnuar aktorët ligjorë mbi kuptimin dhe zbatimin e ligjeve të BE-së për barazinë gjinore, me një fokus të veçantë tek gjykatësit, avokatët dhe shoqërinë civile dhe veçanërisht në shoqatat që përqendrohen në barazinë gjinore dhe fakultetet juridike duke u fokusuar në ligjet e punës.