Foto: Atdhe Mulla

‘Ligjet e mira’ nuk i ndihmojnë Kosovës ta adresojë barazinë gjinore

Gjatë ditës së sotme BIRN ka organizuar tryezën me temë “Barazia në Letër”, pjesë e së cilës ishin përfaqësues nga gjyqësori, MAPL-ja, Agjencia për barazi gjinore dhe avokat e përfaqësues nga komunat e Kosovës.

Tryezën e udhëhoqi autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi.

Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i pranishëm në këtë tryezë tha se nga analizat dhe hulumtimet e ndryshme po rezulton se gratë në praktike po ballafaqohen me shumë sfida gjatë realizimit të drejtave të tyre, e që sipas Idrizit shkak për këtë është mentaliteti në Kosovë.

Idrizi po ashtu ka theksuar faktin se procedurat gjyqësore janë të stërzgjatura e që sipas tij kjo po e humb efikasitet dhe kështu po vështirësohet realizimi i të drejtave trashëgimore nga gratë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës tha po ashtu se një tjetër ndikim ka edhe e drejta zakonore në bazë të së cilës më herët ka qenë praktike që gratë të përjashtohen nga trashëgimia.

“Nuk mjafton vetëm të kemi ligje të mira por duhet edhe gratë të informohen për të drejtat e tyre. Unë e kam bërë një hulumtim dhe nuk kam hasur asnjë rast kur burri e ka paditur gruan për trashëgimi të përbashkët por vetëm gruaja e ka bërë ketë” ka shtuar Idrizi.

Ndërsa Hasan Shala, Kryetari i Gjykatës së Apelit ka thënë se në këtë Gjykatë të cilën ai e udhëheq ekziston një numër i madh i lëndëve, duke shkuar kështu deri në 12 mijë lëndë në vit vetëm në Departamentin Civil. Ai si shqetësim e ngriti edhe numrin e vogël të gjyqtareve për të cilin tha se është i ulët në raport me numrin e lëndëve të cilat pranohen në këtë Gjykatë. Shala ka kërkuar që të rritet numri i gjyqtareve dhe bashkëpunëtorëve profesional në mënyrë që të rritet edhe kualiteti i punës.

Foto: Atdhe Mulla

“Është e pamundur që vetëm 5 gjyqtar ti përfundoj këto lëndë, pasi qe numri i lëndëve është jashtëzakonisht i madh ne krahasim me numrin e gjyqtareve”, tha Shala.

Labinot Leposhtica nga zyra ligjore e BIRN-it e ka përmendur faktin se vetëm 16% e grave e kanë pasurinë në emër të tyre, fakt i cili tha se është mjaftë shqetësues.

Ai shqetësuese i konsideroi edhe rastet në të cilat tha se ndodh që gratë të ballafaqohen me procedura gjyqësore mbi një dekadë duke përmendur kështu rastet ku procedurat gjyqësore zgjasin edhe deri në 15 vite.

Foto: Atdhe Mulla

Leposhtica ka shtuar se projektligji aktual ka norma të tilla që hapin rrugë që një trashëgimtar ose trashëgimtare të përjashtohet nga trashëgimia duke u konsideruar si i/e pandershme.

“Ne e kemi theksuar këtë vazhdimisht është shumë banale , cili është autoriteti në Kosovë që përcakton se çfarë është e ndershme apo e pandershme çfarë është e moralshme ose jo , projektligji ynë në fuqi e ka një dispozitë të tillë “, tha Leposhtica.

Ai shtoi se projektligjin për procedurën jo kontestimore është marr parasysh një rekomandim i BIRN-it që në rastet kur vajza heq dore nga trashëgimia kjo të behet përmes video incizimit, pasi që tha se ka pasur raste kur gratë/vajzat nuk kanë qenë të informuara për të drejtat e veta, ndërsa përmes video incizimit tek noterët në këto procedura do të jetë me e lehtë të dihet nëse janë informuar apo jo gratë dhe vajzat për të drejtat e tyre.

Kurse Blerta Iberdemaj monitoruese për barazi gjinore nëpër komuna nga BIRN-i, ka paraqitur të gjeturat e një hulumtimi të realizuar në lidhje me regjistrimin e pronave nga zyrtarë e lartë në Republikën e Kosovës si dhe ka përmendur faktin se sa pak komunat janë duke e respektuar Ligjin për Barazi Gjinore.

Foto: Atdhe Mulla

Ajo ka thënë se nga 31 kryetarë të komunave të Kosovës të kontaktuar nga BIRN, nga 16 nga të cilët kanë marrë përgjigje, vetëm 4 kanë deklaruar se posedojnë pronë të pa luajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

Për drejtoret e drejtorive të komunave ka rezultuar se nga 330 Drejtor të 31 Komunave në Republikën e Kosovës të cilët janë kontaktuar, prej 53 drejtorëve nga të cilët janë përgjigjur, vetëm dy drejtor të drejtorive posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

Kurse sa i përket Ligjit për Barazi Gjinore, Iberdemaj tha se me pak se 20 % të drejtorive nëpër komuna udhëhiqen nga gratë që vë në pah faktin se komunat shumë pak janë duke e respektuar këtë ligj.

Foto: Atdhe Mulla

Leonora Selmani nga Agjencia për Barazi Gjinore ka thënë se nëpër komuna ka vetëm nga një zyrtar për barazi gjinore, që mund të paraqes problematik për kryerjen e punëve në lidhje me realizimin e të drejtave për barazi gjinore.

Selmani ka kërkuar që komunat të ndajnë buxhet të përhershëm për zyrat për barazi gjinore që ekzistojnë nëpër komunat e Kosovës me qëllim që të paktën të mbulohen aktivitetet e tyre.

Si një shembull të mirë ajo e përmendi komunën e Gjilanit për të cilën tha se nuk e ka këtë problem pasi që kjo komunë çdo fillim vit ndanë buxhet për zyrën për barazi gjinore në këtë komunë.

Rozafa Ukimeraj, Sekretare e përgjithshme në Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal tha se kjo ministri në vitin 2017 i ka kushtuar një interes të posaçëm monitorimit të përfaqësimit të barabartë gjinor në nivelin e qeverisjes.

Ukimeraj tha se përkundër faktit se momentalisht nuk ka asnjë grua kryetare të ndonjë komune, pavarësisht sfidave të cilave akoma përballën komunat është shënuar progres i lehtë në disa fusha.

Për dallim nga organet lokale të dala nga zgjedhjet e vitit 2013, si rezultat i zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar tha se ka 6 kryesuese gra për dallim nga dy sa kanë qenë në mandatin e kaluar dhe 2 nënkryetare gra krahasuar me herën e kaluar ku nuk kishte pasur asnjë grua nënkryetare.

E sa i përket respektimit të Ligjit për Barazi Gjinore ajo tha se gjatë këtij viti ka një dallim prej 8.54% rritje të numrit të grave të emëruara në krye të drejtorive nëpër komunat e Kosovës.

Foto: Atdhe Mulla