Lidhja e Tunë Kqirajt me Sami Lushtakun

Gjykata në Prizren i ka shpallur sot aktgjykimet në rastin e grupit të dyshuar për fajde ndaj grupit të Kqirajve.

Në seancën e mbajtur sot, Gjykata i ka shpallur fajtorë shumë nga të akuzuarit ndërsa i ka liruar nga akuza disa prej tyre.

Në shkurt të vitit 2018, Gjykata në Prizren kishte shpallur aktgjykimin ndaj këtij grupi, por rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit katër muaj më vonë.

Në shpalljen e aktgjykimit që u mbajt sot në Gjykatën e Prizrenit, i akuzuari Tunë Kqira u shpall fajtor dhe u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 3 muaj burgim për veprën penale të  organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Të njëjtit do t’i llogaritet në këtë dënim koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak në kohëzgjatje totale nga 28 maj të vitit 2015, deri me 28 gusht të vitit 2017.

Tunë Kqira u shpall i pafajshëm për veprat penale krim i organizuar nga lidhur me veprën penale detyrim si dhe në lidhje me veprën penale fajdeja.

Me 1.500 euro Gjobë i akuzuari Tunë Kqira u dënua për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I akuzuari Tunë Kqira për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm kohë më parë ishte parë në shoqërim të njëri nga figurave kryesore të PDK-së, Sami Lushtaku.

Para dy viteve, gjatë kohës kur Kqiraj përshkruhej nga Prokuroria Speciale e Kosovës si drejtues të grupi të fajdeve në Prizren. KALLXO.com kishte raportuar për takimin e tij me Lushtakun.

Rreth takimin me të akuzuarin për bixhoz të paligjshëm, Lushtaku i cili në atë kohë ishte kryetar I Komunës së Skenderajt, kishte thënë se “Unë nuk kam pasë qëllim, jam taku në Prizren rastësisht se kam nejt në burg me to, e kam pas rastin me ndejt në burg me to edhe e kam pa edhe kam ndejt kam pi kafe me to edhe nuk kam pasë asnjë qëllim tjetër”.

Lushtaku nuk kishte dashur të komentoj për të kaluarën dhe akuzat ndaj Kqirës.

“Nuk më intereson mu le të merret gjykata, prokuroria e policia me to, se unë nuk iki prej njerëzve kushdo të jenë ata. Edhe me juve gazetarëve që po besoj që jeni ma të kqi se shumë do tjerë, kur t’ ju takoj ju foli nuk e kam problem“, kishte thënë Lushtaku.

Sot, së bashku me Tunë Kqirajn u dënua edhe i akuzuari Kastriot Kqira.

Kastriot Kqira u shpall fajtor dhe gjykata e dënoi me dënim me burgim dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 viteve, për veprën penale fajde e në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim e arrest shtëpiak nga 28 maji i vitit 2015 e deri më 11 nëntor të vitit 2017.

I njëjti me gjobë prej 1.500 Euro u dënua për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të akuzuarin Gjon Kqira gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve e 5 muaj, për veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Gjithashtu të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 28 majit të vitit 2015, e deri më 11 nëntor të vitit 2017.

I njëjti me gjobë prej 1.500 euro u dënua për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Marjan Kqira u shpall fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe u dënua me gjobë prej 1.500 euro.

Të akuzuarin Benson Buza gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve e 5 muajsh për veprën penale të detyrimit. E në dënim të shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim në kohëzgjatje prej 8 majit të vitit 2015, e deri më 3 tetor të vitit 2017.

I njëjti me gjobë prej 1.500 euro u dënua për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I akuzuari Besfort Omaj u shpall fajtor dhe u dënua me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve e 5 muajsh për veprën penale detyrim gjithashtu të njëjti në dënimin e shqiptuar nga gjykata do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 28 majit të vitit 2015, e deri më 30 qershor të vitit 2017.

I akuzuari Gjekson Kqira u shpall fajtor nga gjykata dhe u dënua me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve për veprën penale fajde. Atij në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej 28 majit të vitit 2015 e deri më 26 janar të vitit 2017.

I akuzuari Gëzim Kqira u shpall fajtor nga gjykata dhe u dënua me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 5 muajve për veprën penale fajde. Atij në dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 11 tetorit të vitit 2015 e deri më 9 shkurt të vitit 2017.

Të akuzuarit Gjon Kqira dhe Marjan Kqira u shpallën të pafajshëm për veprën penale krim i organizuar lidhur me veprën penale detyrim si dhe në lidhje me veprën fajdeja.

Kastriot Kqira, Benson Buza, Gjekson Kqira dhe Gëzim Kqira u shpallën të pafajshëm për veprën penale krim i organizuar.

Të akuzuarit Tunë Kqira, Kastriot Kqira, Benson Buza dhe Marjan Kqira dhe Gjon Kqira u shpallën të pafajshëm për veprën penale shpëlarja e parave.

Gjatë shpalljes të vendimit gjyqësor, nuk ishte prezente prokurorja e shteti Merita  Bina – Rugova e as përfaqësuesi i palës së dëmtuar Avokati Tomë Gashi, ndërsa ishin prezentë shumica e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.