Liderja e preferuar e kosovarëve Merkel, serbët e vlerësojnë Putinin

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) ka publikuar anketën “Politika Ndërkombëtare dhe Partitë Politike: Perceptimet e Qytetarëve të Kosovës”, e cila është realizuar në vitin 2019.

Të dhënat kryesore nga seksioni i parë i raportit, që trajton perceptimet e qytetarëve në raport me politikën ndërkombëtare dhe aktorët globalë, tregojnë se kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel është dukshëm liderja më e preferuar e kosovarëve, me 53 për qind, duke e lënë prapa presidentin e ShBA-së, Donald Trump me 17 për qind.

Ndërkaq, gjetja e raportit thotë se 87 për qind e serbëve të Kosovës e vlerësojnë presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin si liderin më të preferuar botëror.

Në anën tjetër, vlerësimi pozitiv i qytetarëve kosovarë për politikën e BE-së karshi Kosovës, sipas raportit aktualisht gjendet tek shifra 54 për qind.

Kosovarët kanë vlerësuar lartë edhe kontributin e Aleancës Veri-Atlantike (NATO).

Raporti tregon se 55 për qind e qytetarëve të Kosovës e vlerësojnë se NATO është organizata që e ka ndihmuar Kosovën më së shumti nga viti 1999, duke e lënë kështu prapa BE-në me 21 për qind.

Si dhe 73 për qind e qytetarëve e vlerësojnë pozitivisht rolin e NATO-s në arenën ndërkombëtare dhe kontributin e saj për paqe.

Ndërkaq, 34 për qind e  qytetarëve besojnë se Gjermania duhet të jetë partneri kryesor ekonomik i Kosovës, thotë raporti i PIPS-it.

Kurse, të dhënat kryesore nga seksioni i dytë i anketës së PIPS, përceptimet e qytetarëve për pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe institucionet e politikës së jashtme të Kosovës shfaqin se 52 për qind e qytetarëve mendojnë se Kosova është dëmtuar ndërkombëtarisht nga fushata e tërheqjes së njohjeve të sponsorizuar nga Serbia.

Anketa e PIPS “Politika Ndërkombëtare dhe Partitë Politike: Perceptimet e Qytetarëve të Kosovës”

46 për qind kanë vlerësim negativ për politikën e jashtme dhe diplomacinë e Republikës së Kosovës, si dhe 25.9 për qind janë neutral për politikën e jashtme dhe diplomacinë e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, 65 për qind e qytetarëve pajtohen se Kosova duhet të bëjë më shumë për të krijuar politikë të jashtme të pavarur, që nuk reflekton gjithmonë politikën e jashtme të SHBA dhe BE.

Sipas anketës, 50 për qind e qytetarëve mendojnë se qenësia e Kosovës si shtet varet nga njohja ndërkombëtare.