Slavko Çuruvija u vra në Beograd në prill 1999. Foto: Fondacioni Slavko Curuvija.

Lideri i Bandës “Pranoi Vrasjen e Gazetarit Serb”

Suvajxhiq, i cili është një dëshmitar i mbrojtur pasi dëshmoi kundër ish-kolegëve të tij të bandës kriminale Zemun, tha në gjykatë në Beograd se Mile Lukoviq, i njohur ndryshe si Kum, pretendoi se ai vrau gazetarin Çuruvija në prill 1999.

Njësia policore e vrau Lukoviqin, një nga liderët famëkeqe të bandës së Zemunit, anëtarët e të cilës u shpallën fajtorë për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në mars 2003, ndërsa përpiqeshin ta arrestonin atë për përfshirjen e tij të dyshuar në vrasjen e kryeministrit.

“Pas vrasjes së kryeministrit, unë isha korrier dhe erdha në apartamentin në rrugën ‘Vojvode Stepe’ në Beograd, ku ishte Mile Lukoviq Kum. Ai e dinte që fundi i tij ishte pranë dhe atëherë tregoi se si banda e Zemunit vrau Çuruvijën”, citoi gazeta “Danas” të ketë thënë Suvajxhiq në gjykatë.

Suvajxhiq dëshmoi se Lukoviq pranoi gjithashtu edhe disa krime të tjera.

Megjithatë, Suvajxhiq tha se në atë kohë, Lukoviq ishte “krejtësisht i çmendur dhe thoshte se kishte kryer edhe shumë vrasje të tjera”, kështu që ai s’e mori seriozisht atë që ai tha.

Ai shtoi se i tha policisë në vitin 2003 për pretendimet e Lukoviqit, por se askush nuk e hetoi këtë gjë.

Çuruvija u qëllua për vdekje 17 herë para ndërtesës ku ai jetonte në Beograd – një vrasje që familja dhe ish-kolegët e tij besojnë se ishte e motivuar nga kundërshtimi i tij ndaj regjimit të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq.

Sipas aktakuzës, një “person i panjohur” urdhëroi vrasjen e Çuruvijës dhe Radomir Markoviq, ish-kreu i Sigurimit të Shtetit në Serbi, e mbështeti krimin, ndërsa tre ish-oficerë të tjerë të sigurimit të shtetit – Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak – morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Pretendohet se Kurak ishte autori i drejtpërdrejtë, ndërsa Romiq ishte bashkëpunëtori i tij.

Tre nga të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviq aktualisht po shlyen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq u liruan nga akuzat në shtator për tentativë për vrasjen e liderit opozitar Vuk Draskoviq në vitin 2000.

Suvajxhiq tha gjithashtu në gjykatë të hënën se pas vdekjes së Çuruvijës, banda kriminale Zemun planifikoi të vriste të pandehurit Kurak dhe Romiq, me urdhër të një prej liderëve të tjerë të bandës, Dushan Spasojeviq.

Suvajxhiq tha se ai dëgjoi nga anëtarë të tjerë të bandës se Milorad Ulemek, i njohur ndryshe si Legija, ish-komandanti i forcave speciale policore që u dënua për vrasjen e Zoran Gjingjiqit, ishte personi pas këtij urdhri.

Megjithatë, banda hoqi dorë nga plani pasi Ulemek arriti një marrëveshje me Kurakun, tha ai.

Gjykata të hënën dëgjoi gjithashtu dëshminë e Rodoljub Miloviqit, një oficer policie në pension që drejtonte njësinë policore Poskok që po hetonte vrasjen e Çuruvijës në fillim të viteve 2000.

Miloviq tha gjithashtu se pas vrasjes së Gjingjiqit, ai mori vesh se Suvajxhiq i tregoi policisë për pretendimin e Lukoviqit se Çuruvijën e vrau ai.

Ai shtoi se hetimi i policisë për vrasjen e Çuruvijës mori drejtime të ndryshme që sollën “shumë informacione dhe informacione të përgjysmuara”, përfshirë të dhëna për të pandehurit Romiq dhe Kurak, por jo prova.

Miloviq tha se ai foli me Luka Pejoviqin, një anëtar i Njësisë së Operacioneve Speciale të Ministrisë së Brendshme që është përmendur si autor i vrasjes së Çuruvijës nga disa dëshmitarë, por se Pejoviq ishte vrarë para se ata të takoheshin përsëri.

Pejoviq u qëllua për vdekje nga një person i panjohur në Beograd të vitin 2000.

Miloviq tha gjithashtu se Branka Prpa, e veja e Çuruvijës, e cila ishte me gazetarin në kohën e vrasjes së tij, tha pas vdekjes së Pejoviqit se ai mund të ishte autori i krimit, por se ajo nuk ishte e sigurt.