Liderët Urojnë Qytetarët për Festën e Bajramit

Drejtuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe liderët e partive politike ua kanë uruar qytetarëve të besimit islam festën e Kurban Bajramit.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, presidenti Hashim Thaçi ua ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Bajramit të Vogël.

“Uroj që përherë të mbretërojnë mirësia, harmonia, paqja dhe solidariteti në mesin tonë”, ka shkruar në urimin e tij të shkurtër i pari i vendit.

Besimtarëve islamë festën ua ka uruar edhe shefi i Qeverisë, Isa Mustafa.

”Festa e Bajramit është një rast i mirë, që familjet tona të bashkohen pranë tryezës së tyre, të vizitojmë njëri-tjetrin, të shprehim solidaritetin dhe të gjejmë mirëkuptimin, që gjithmonë na nevojitet. Me fat!”, ka shkruar kryeministri në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.

Ndërsa, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe të kryemyftiut Naim Tërrnava besimtarët i ka uruar zëvendëskryetari i Kryesisë së BIRK-së, Reshat ef. Mexhiti.

Në mesazhin e urimit ai ka lutur të madhin Zot për mbarësi e begati. Ai është lutur që haxhilerëve nga trevat tona Zoti t’ua pranoj haxhin dhe ibadetet e tyre.

“Për të gjithë besimtarët muslimanë, gjitha të mirat në këtë natë të Bajramit! Harmoni, festë e gëzim në familjet tuja! Me fat!”, ka uruar po ashtu përmes “Facebook”-ut lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Qytetarët i ka uruar edhe i pari i Nismës për Kosovën.

“Mirësia, solidariteti dhe paqja të jenë përcjellëse e motivuese për një jetë më të mirë për të gjithë ju dhe familjet tuaja”, ka shkruar Fatmir Limaj në faqen e tij në “Facebook”.

Falja e namazit të Kurban Bajramit bëhet nesër në ora 6:49.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban – Bajramit, mbahet në  Xhaminë e Madhe në Prishtinë.