Akademia përkujtimore për Agim Ramadanin | Foto: KALLXO.com
Liderët Shtetërorë Nderuan Veprën e Agim Ramadanit
Kryeministri Ramush Haradinaj organizoi akademi përkujtimore në 19 vjetorin e rënies heroike të Agim Ramadanit.
Kryeministri Haradinaj në akademinë përkujtimore për 19 vjetorin e rënies heroike të Agim Ramadanit tha se krenaria e lirisë së Kosovës gjendet në shumë ngjarje e beteja, por ajo më unike dhe e veçantë është në Koshare.
“Janë njerëz që u kanë rezistuar edhe përçarjeve edhe thyerjeve e gjitha pengesave, e s’ka mund kush me i ndalë deri në vijën e parë të luftës, deri në flijimin e tyre për atdhe. Këta njerëz i gjejmë sinonim të unifikuar pikërisht në tre emra- Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Xhemajl Fetahu, e që nuk janë të vetmit “, tha ai .
Në Manifestimin Tradicional “Ditët e Shqipes” ishte i pranishëm edhe presidenti Hashim Thaçi i cili tha se beteja e Koshares dhe ajo e Pashtrikut treguan më së miri se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e gatshme për operacione ushtarake frontale.
“Pa luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa sakrificën e dëshmorëve të lirisë, pa përkrahjen e rezistencës gjithëqytetare, pa mbështetjen e botës demokratike, Kosova nuk do të bëhej vend i lirë”, tha presidenti Thaçi.
Në emër të brigadës 138 “Agim Ramadani“ foli deputeti Anton Quni i cili Agim Ramadanin e cilësoi si një mrekulli dhe dhuratë nga zoti.
“Agimi ishte frymëzim i dërguar nga lart për neve që na përbuznin, vranin, djegnin, e masakronin“, theksoi ai.
Ndërsa Lorina Ramadani e bija e Heroit të Kosovës foli para të pranishmëve në emër të familjeve të dëshmorëve.
Ajo kërkoi nga udhëheqësit e shtetit që ta bëjnë më të mirën për ta ruajtur gjakun dhe amanetin e atyre që u flijuan për liri.
“Ne shpresojmë që si udhëheqës të shtetit dhe përgjegjës të amanetit të babait tim dhe shumë prindërve anekënd Kosovës, do të bëni më të mirën për ta ruajtur atë gjak të derdhur dhe amanetin për krijimin e shtetit ashtu siç e dëshiruan dhe e ëndërruan më të mirët tanë“, tha ajo.
Agim Ramadani I njohur me nofkën “Katana” ishte epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 138 dhe mori pjesë në betejën e Koshares.