Foto: Kryeministri Ramush Haradinaj/ Facebook

Liderët institucionalë përkujtojnë rënien e dëshmorit Shkëlzen Haradinajt

Liderët e institucioneve të Kosovës, sot kanë përkujtuar 20 vjetorin e  rënies së dëshmorëve e kombit Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka bërë homazhe te Shtatorja e Shkëlzen Haradinajt në Pejë, për të vazhduar me homazhe edhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan të Deçanit.

Kryeministri ka shkruar në Facebook se pavdekësia e luftëtarëve të UÇK-së, ecë krah për krah me lirinë e Kosovës.

“Homazhe në nderim të veprës heroike të luftëtarëve të spikatur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj. Ata ranë që të ngritët një popull i shkelur dhe u ngritën së bashku me të drejtën e tij. Pavdekësia e tyre ecen krah për krah me lirinë e Kosovës, thirrjes së të cilës i qëndruan gjithmonë gatitur. Lavdi e përjetshme!”, thuhet në publikimin e Haradinajt.

Në nderim të dëshmorëve është shprehur edhe zëvendëskryeministri, kryetar i Nismës Socialdemokrate (PSD), Fatmir Limaj.

Limaj ka shkruar në Facebook se sot kujtojmë me pietet të lartë luftëtarin e orëve të para për lirinë e Kosovës, heroin e Kombit, Shkëlzen Haradinaj.

“Dy dekada më parë Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj ranë heroikisht në betejën e Maznikut, në një betejë të paparë deri atëherë. Shkëlzeni, Fatmiri, Hasimi dhe Luani u bënë mburojë me trupat e tyre në mbrojtje të civilëve të strehuar në atë zonë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë dëshmorët e Kombit!”, është shprehur Limaj.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së Kadri Veseli ka thënë se pranvera e vitit 1999 ishte stina më e përgjakshme në historinë tonë kombëtare.

“Një popull i tërë po luftonte për jetë a vdekje me gjenocidin serb. Djemtë më të mirë të UÇK-së në ato ditë po binin dëshmor gjithandej Kosovës. Në mesin e tyre ishte Shkelzen Haradinaj, i cili si sot 20 vjet më parë ra dëshmor i lirisë. Lavdia e përjetshme do të qëndroj mbi emrin e tij dhe gjithë heronjëve të kombit”, ka shkruar Veseli po ashtu në rrjetin social Facebook.