Liderët e shtetit ‘lavëdrojnë’  Kosovën para Klubit Afarist Frankofon në Kosovë

Klubi Afarist Frankofon në Kosovë (KOCAF) ka organizuar Forumin Frankofon të Investimeve, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri, ku kanë marrë pjesë liderët e shtetit.

Kryetari i Klubit Frankofon në Kosovë, Rrahim Pacolli kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të krijojë lehtësira për investitorët e huaj.

“Një kërkesë për Kryeministrin, që si qeveri t’i hapin dyert për investitorët e e huaj në mënyrë që me qenë më e lehtë gjetja e zonave industriale sepse është interes i Kosovës dhe punësimit dhe talentëve qe i ka Kosova dhe rinin që ka ajo, sepse çdo ditë po na ikin. Investitorëve ju them se Kosova është vend i mirë për të investuar, sepse klasa punëtore është shumë e mirë dhe siguria është e madhe”, tha Pacolli.

Me këtë rast, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se të gjithë investitorët janë të mirëseardhur derisa premtoi  ndihmën e institucioneve për të funksionuar në Kosovë.

“Kosova është shtet që duhet ti mbrojë investitorët. Kosova është shtet i ri, shtet i mundësive të mëdha ,shtet i cili duhet të shfrytëzohet si mundësi për investitorët dhe ky takim sot është mundësi e re i pashfrytëzuar deri më tani. Këtu shoh njerëz të suksesit dhe të punës. Sot gjithë bartësit e institucioneve janë këtu për të ju treguar që jeni të mirëseardhur dhe keni përkrahjen tonë për investime.Kanë besim që kjo mundësi do të shfrytëzohet maksimalisht, si dhe kjo mundësi do të jetë shtytje e madhe edhe për afaristët e tjerë”, tha ai.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u premtoi përkrahje investitorëve duke kërkuar nga Franca për mbështetjen për liberalizim të vizave.

“Orientimi ynë është shumë i qartë, është kapitalizmi modern. Ne kemi vendosshmëri në këtë proces, kemi arritur të ndërmarrim shumë reforma për lehtësime dhe fuqizimin e bizneseve tona sepse pa qenë të përkrahura bizneset tona nuk mund të vijnë investimet e huaj. Qeveria e vendit ka bërë ulje në taksa që krijojnë lehtësira, do të ketë edhe më tutje ulje të taksave për ndërmarrësinë. Kemi një bilanc tregtar të papranueshëm, duam të rrisim mundësinë e punësimit që të rinjtë të mos e lëshojnë vendin. Do të përkrahim çdo investitor. Kërkojmë që shteti francez të jap një shtytje, liberalizimi i vizave është problem që është duke na mbajtur peng. Vendimmarrja që do të vijë në ditët e ardhshme pikërisht nga Franca është vendimtar pikërisht për Kosovën”, tha Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se kompanitë vendore kanë problem të bëjnë biznes për shkak të mosliberalizimit.

“Kosova ka reflektuar për një klime të investimeve. Nesë e shikojmë edhe rastin kur dëshironi të hapni një ndërmarrje në Kosovë, nuk është vështirë të operosh. Infrastrukutra  është e mirë dhe kjo është përparësi ndaj vendeve të rajonit, por qytetarët tanë kanë vështirësi të bëjnë biznes jashtë Kosovës për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave”, tha ai.

Kurse ambasadori i Francës në Kosovë, Dider Chabert, tha se Kosova mund të ofrojë kushte shumë të mira për investitorët francez.

“Fuqia punëtore në Kosovë është e re dhe ka një frymë të fortë sipërmarrëse dhe kostot e pagave janë më të ulta në rajon. Kosova është vend i përshtatshëm për eksport. Përveç pozitës së mirë gjeografike, Kosova po ashtu do të përfitojë  edhe mundësi për treg të mirë në Evropë. Duke pasur perspektive evropiane Kosova është angazhuar në reforma për tu përputhur me standarde evropiane. Kosova zë pozitën e  40 në Bankën Botërore në sektorin e të bërit biznes. Përmes këtij forumi shohim se ka biznese që duan të investojnë”, tha ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se qëllim i ministrisë që ai e udhëheq është që të largohen pengesat me të cilat ballafaqohen bizneset në Kosovë.

“Nga disa parakushte kryesore për klimë të biznesit janë stabiliteti fiskal dhe qasja financave. Parimi themelor i programit tonë të qeverisjes është që të largohen pengesat për të bërit biznes dhe për të krijuar klimë të përshtatshme për biznes. Kosova ka stabilitet makrofiskal, dhe kemi ambient stabil. Inflacioni mesatar ka qenë në norma të ulta, rrjedha e kapitalit është totalisht e papenguar, dhe kemi një sistem financiar të qëndrueshëm. Kosova është në mesin e vendeve të rralla që nuk e tatimon devidentën. Të gjitha veprimet tona nuk kanë vendos barra e norma të reja tatimore. Ne jemi në pozitë të mirë gjeografike dhe investitorët janë të mirëpritur,” deklaroi Hamza.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se si ministri do të punojnë për bashkëpunim më të thellë me vendet frankofone.

“Kosova ka sfida të reja përpara. Ministria e Tregtisë është duke bërë hapat e rëndësishme drejt të bërit biznes. Vendet frankofone janë partner i mirë për Kosovën. Ne kemi krijuar hapësirë për të rritur bashkëpunimin ekonomik. Ne tashmë kemi jetësuar ligjin për investime strategjike. Deri më tani kemi edhe investitor francez që janë të interesuar të investojnë në energji të ripërtërishme. Jemi duke punuar që të rrisim tregtinë me vendet frankofone,” është shprehur Shala.

KOCAF është një klub afarist që bashkon kompanitë nga vende të ndryshme frankofone. Ai u krijua në mars 2017 nën udhëheqjen e ambasadave të Belgjikës, Kanadasë, Francës, Luksemburgut dhe Zvicrës në Kosovë.

Qëllimi i Forumit Frankofon të Investimeve është të diskutojë ngjashmëritë, ndërlidhjet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen operatorët ekonomik që veprojnë në Shqipëri dhe Kosovë.