Pamje nga seanca e Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Liburn Aliu i drejtohet PSD: Hajde ta rrëzojmë Qeverinë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu i ka kërkuar publikisht kolegëve të PSD-së, që deri para një kohë i kishte edhe kolegë partie, që të bëhen bashkë dhe ta rrëzojnë Qeverinë e Kosovës.

Duke folur për marrëveshjen që Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar me Contour Globalin, Aliu i drejtohet deputetëve të PSD-së që rezoluta nuk e ndal marrëveshjen me Contour Globalin, por me shkuarjen në zgjedhje.

“Ne do ta votojmë këtë rezolutë që do ta nxirrni nga kjo interpelancë, pra jemi për këtë ndërprerje, por kjo s’e ndalë këtë marrëveshje. Ajo çka e ndalë janë zgjedhjet e reja. Pra, nëse doni vërtetë ta ndalni të keqen, hajdeni e qesim këtë vend në zgjedhje, e rrëzojmë këtë Qeveri. E kemi LDK-në të gatshme, jemi të gatshëm edhe ne, hajde ta rrëzojmë këtë qeveri, ta ndalim Contour Globalin, Zajednicën që e kemi luftu bashkë”, tha në mes tjerash Aliu.

“Ju ftoj të hidhemi në përpjekje për të rrëzu këtë Qeveri”, tha tutje Aliu.

Ai madje i ka propozuar PSD-së, që ka parti opozitare që janë të gatshëm për koalicion parazgjedhor.

“Hajde po e zëmë që ju jeni subjekt i ri dhe keni probleme, dijeni që ka subjekte të opozitës që janë të gatshme edhe për koalicione parazgjedhore edhe për zgjidhje të çfarëdoshme që kishin me rregullu këtë çështje, por e rëndësishme është të ndalet Zajednica e Contour Globalin”, tha në mes tjerash Aliu.