Librat shkollorë nuk janë dorëzuar në disa komuna

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor, tha se kjo ministri ka bërë përgatitjet për nisje të mbarë të procesit mësimor këtë vit.

“Ajo çka MASHT ka bërë është miratimi i kalendarit shkollor 2018- 2019 dhe përmirësimet e nevojshme në infrastrukturë të shkollave sipas kërkesave që na kanë ardhur si dhe disa shkollave të reja”, tha ministri.

Ai tha se është punuar edhe në infrastrukturë ligjore me hyrjen në fuqi të ligjit të Inspektoratit i cili, sipas tij, mundëson prani më të madhe të inspektorëve nëpër shkolla.

Në 11 shkolla, sipas tij, mësimi nuk ka filluar sot për shkak të punimeve që janë duke u bërë nëpër objektet përkatëse.

Ai tha se është duke u punuar ligji për tekste e mjete mësimore.

Sa i përket furnizimit të nxënësve me libra shkollorë, ministri Bytyqi tha se tashmë ka përfunduar shpërndarja e teksteve në 15 komuna të vendit.

“Deri më tani në shumicën e komunave janë shpërndarë librat shkollorë. Pa e përfshirë ditën e sotme, në 15 komuna ka përfunduar shpërndarja ndërsa deri më 6 shtator do të përfundojë shpërndarja e librave”, tha ai.

“Këtë vit do të jemi gjithmonë afër DKA-ve dhe afër shkollave që çfarëdo problematike që paraqitet gjatë vitit, ne ta adresojmë me kohë”, tha ministri Shyqiri Bytyqi.