Liberalizimi Ilegal i Vizave
Në kohën kur Kosova pritej të merrte vlerësimin për liberalizimin e vizave, një gurp prej 7 personash kishin arritur të ndërtonin makineri për prodhimin e pasaportave sllovene e polake të cilat më pas shfrytëzoheshin nga qytetarët e Kosovës për të ikur jashtë vendit.
Në edicionin e së premtes, emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ ka sjellë xhirime ekskluzive me detajet e aksionit të gjerë të Policisë së Kosovës në shkatërrimin e një rrjeti të laboratorëve të prodhimit të pasaportave, vizave dhe dokumenteve të tjera të falsifikuara.
Gjatë aksionit i cili është zhvilluar javën e kaluar, policia ka arrestuar 7 persona ndërsa janë bastisur edhe 10 lokacione përfshirë dy laboratorë njëri në Prishtinë e tjetri në Fushë Kosovë.
Në nisje të aksionit, Majori Nevruz Hasani nga njësia e hetimeve të policisë kufitare i ka porositur policët për kujdes në respektimin e të drejtave të njeriut përderisa ka treguar se aksioni është një hetim disamujor i njësive të hetimeve të policisë.
Eprorë të tjerë të njësisë kanë shpjeguar se grupi i dyshuar ka prodhuar në vazhdimësi pasaporta dhe viza sllovene e polake të cilat janë shitur më pas për shuma nga 3 mijë deri në 4 mijë euro.
Në rrjedhë të aksionit, policia ka zbuluar laboratorët dhe makineritë e falsifikimit përshirë qindra dokumente e pasaporta kryesisht pasaporta sllovene e polake.
Ndër dokumentet e falsifikuara janë vërejtur edhe diploma të Universitetit të Prishtinë e po ashtu diploma të shkollave të mesme të kryeqytetit.
Shtatë të arrestuarit e këtij operacioni policor janë dërguar në qendrën e paraburgimit në Gjilan pasi gjykata u caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.