Libër për Emancipimin që Vjen nga Perëndimi

Libri i autorit Blerim Latifi është filozofik dhe në epiqendër të vet ka si diskutim emancipimin e shoqërisë që nga kohët e lashta e deri në kohët e sotme.

Recencionisti i librit Ardian Gola tha se mësimi që duhet marrë nga dështimet e ideve dhe projekteve emancipuese nuk ka të bëjë me dilemën nëse duhet synuar lirinë dhe emancipimin.

Sipas tij, bota e parë nga shkrimtari është larg profeksionit dhe e sigurtë është vetëm pasiguria.

„Ai nuk merr një pozicion të qartë, ai thjesht na ofron ta pranojmë botën ashtu si është në ekuilibrin e pafundëm dhe të përhershërm të së mirës dhe së keqës. Kjo mbase edhe nga frika që na ka mbjellë përvoja historike në dështimet e projekteve emancipuese“, u shpreh ai.

Profesori i filozofisë Astrit Salihu sqaroi se ka qenë pjesë e këtij libri që nga ideja deri te realizimi i saj.

“Ideja e emancipimit na del si një farë parimi orientues ose drejtues i gjithë drejtimit perëndimor sepse në fund mendimi perëndimor, shoqëria perëndimore por edhe projektet politike në perëndim janë çdoherë të drejtuara ose të orientuara nga ideja e emancipimit”, tha ai.

Autori i librit Blerim Latifi u shpreh se ky libër nuk flet për çlirimin e Kosovës por për konceptin filozofik perëndimor të çlirimit.

„Sot ne e kemi të qartë se pa këtë koncept të mbishëruar në kulturën botëkuptimin dhe institucionet politike të botës perëndimore ne nuk do ta kishim marsin e viti 1999 dhe intervenimin e NATO-s”, sqaroi ai.

Kjo, sipas tij, ka ardhur për shkak se të drejtat e njeriut janë më të rendësishme se fuqia e autoritetit politik.

“Ne realisht na shpëtoi metafizika perëndimore e lirisë prandaj ëndërroja ditën kur do mundja që të shkruaja një libër për këtë metafizikë e cila qëndron në themel të civilizimit perëndimor me të mirat dhe rreziqet e saj dhe të vet lirisë për të cilat flet ky libër dhe me të cilat ballafaqohemi ne si shoqëri”, tha ai.

Bujar Dugolli, dekan i Fakultetit Filozofik, ku edhe u bë promovimi i librit, kërkoi që të investohet më shumë në botim e librave shkencorë të profesorëve të Universiteti të Prishtinës.

“Pa dyshim që edhe shoqëria jonë si shoqëri në tranzicion ka specifikat e veta dhe me format tona me punën tonë me mundësit tona stafi akademik është duke i kontribuar emancipimimit dhe ideve progrsiste të zhvillimit të Kosovës në këtë kohë të tranzicionit”, u shpreh Dugolli.