Deputeti Naser Osmani - Foto: Facebook

Naser Osmani nuk Deklarohet Rreth Fajësisë

Pasi prokurori special Admir Shala ka lexuar aktakuzën në rastin ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Naser Osmani dhe shtatë personave të tjerë, të akuzuarit u ftuan nga gjykatësi Shashivar Hoti që të deklarohen nëse ndihen fajtorë ose jo rreth akuzës.

Deputeti Naser Osmani nuk u deklarua rreth fajësisë. Ai tha se vendimet në Bordin e AKP-së merreshin me shumicë të votave. Ai e quajti drejtësi selektive procesin.“Vendimet në Bordin e AKP-së merreshin me shumicë të votave. Pa qenë të gjithë anëtarët e Bordit këtu unë nuk deklarohem”, tha Osmani.

Të gjithë të akuzuarit tjerë u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën.

Bashkë me deputetin Naser Osmani të akuzuar janë edhe Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi dhe Agim Deshishku.

Gjykimi i Osmanit dhe të tjerëve lidhet me privatizimin e Fabrikës “FAN” në Podujevë.

Seanca Naser Osmani

Përveç Agim Deshishkut, që është blerës i ndërmarrjes “FAN” në Podujevë, të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kohën për të cilën akuzohen.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të. Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi   në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim,”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

Seanca e radhës do të mbahet më 6 maj, kur do të jepen kundërshtimet e avokatëve mbrojtës.

http://kallxo.com/naser-osmani-para-gjyqit/