Qen në gjendje të rëndë fizike – Foto: “Të Bashkuar për Kafshët”

Letër e hapur Shpend Ahmetit me kërkesën për mbrojtjen e qenve

Organizata joqeveritare “Të bashkuar për kafshët” i është drejtuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, me një letër të hapur përmes së cilës është kërkuar intervenimi urgjent për ndalimin e keqtrajtimit të qenve në forma të ndryshme.

Pos, Shpend Ahmetit, kjo letër i është drejtuar edhe kryeshefit të AUV, Valdet Gjinovcit, e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Sipas kësaj OJQ-je, deri më sot asgjë konkrete nuk është ndërmarrë sa i përket respektimit të Ligjit për Përkujdesjen për Kafshët.

Në këtë letër janë përmendur edhe dispozitat ndëshkimore për pronarët e qenve të cilët nuk kujdesen për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, të cilat arrijnë dënimin me gjobë nga 500 euro deri në 5.000 euro.

Kërkesa për intervenim urgjent, sipas kësaj letre, ka ardhë si pasojë e një fotografie të publikuar në ditën e djeshme në faqen “Të Bashkuar për Kafshët”, ku mund të vërehet një qen në gjendje të rëndë fizike.

“Prandaj, kërkojmë nga organet kompetente që përfundimisht t’i dënojnë dhe t’i ndalojnë këto akte mizore, shitjen ilegale të qenve në tregun e kerreve”, shkruan në letrën e hapur.