Lëshojnë Komisionin ku po Raportonte Ministri i Arsimit

Edhe pse ishte ftuar të raportonte për arsimin e lartë në Kosovë, ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi më shumë dëgjoi polemika mes anëtarëve të Komisionit për Arsim sesa që foli vetë.

Kjo për faktin se nënkryetarja Teuta Haxhiu nga AAK e cila po udhëhiqte mbledhjen e Komisionit për Arsim dhe anëtaret Arbërie Nagavci nga VV e Valentina Bunjaku- Rexhepi nga LDK patën polemika mes vete  kur këto dy të fundit po i shtronin pyetje ministrit.

Si shenjë proteste ndaj Haxhiut, anëtaret e Komisionit Nagavci dhe Bunjaku-Rexhepi lëshuan mbledhjen e komisionit.

Ato patën një kërkesë për ministrin Bytyqi, që të marrin përgjigje me shkrim për pyetjet që kishin interes t’i shtronin e që sipas tyre nënkryetarja Haxhiu ua mohoi me arsye se nuk i takojnë rendit të përcaktuar të ditës.

Anëtarja e Komisionit për Arsim, Valentina Bunjaku- Rexhepi kritikoi mënyrën e udhëheqjes së komisionit nga nënkryetarja Teuta Haxhiu.

“Është hera e parë që po e udhëheq komisionin e arsimit dhe ke krijuar tension”, tha Bunjaku- Rexhepi.

E në heshtje dhe pa thënë asnjë fjalë, komisionin e lëshoi edhe anëtari tjetër nga LDK, Fidan Rekaliu.