Leposaviqi paguan për projektet e papërfunduara

Zyra Kombëtare Auditimit (ZKA) ka gjetur shumë shkelje në komunën e Leposaviqit, e cila kishte mangësi në ekzekutimin e buxhetit dhe atë në të gjitha kategoritë e shpenzimeve.

“Projektet kapitale të filluara me vonesë, si pasojë e vlerësimit të dobët të nevojave dhe mbikëqyrjes së pamjaftueshme, kanë ndikuar që dobësitë të mos trajtohen me kohë dhe në mënyrën e duhur”, thuhet në raportin e auditorit.

Madje, Auditorit konstaton se disa prej projekteve janë vonuar apo edhe nuk janë kryer fare derisa janë kryer pagesa për to.

Për shkak të mos pagesës së faturave me kohë, është dashur ndërhyrja nga Thesari dhe përmbaruesit privatë për t’i shlyejnë këto borxhe komunës.

Auditori ka gjetur se 659 mijë euro janë paguar nga Thesari si obligime që kishte komuna e Leposaviqit. Ndërsa, Komuna e Leposaviqit është obliguar të paguajë edhe 201 mijë euro me vendime të përmbaruesve, si rezultat i mos pagesës së faturave me kohë.

“Kjo ka ndodhur për shkak të një planifikimi të dobët dhe të pabazuar në objektiva të qarta, si dhe hyrja në obligime përmes kontratave kornizë pa pasur mjete të buxhetuara”, thuhet në raportin e Auditorit.

“Për kontratën “Ndërtimi i rrugëve lokale në qytet dhe në fshatrat e Leposaviqit”, nga Thesari është bërë pagesë direkte në vlerë totale prej 495,785€7. Në bazë të një letërkëmbimi nga Thesari, komuna kishte konfirmuar se nuk i kishte shlyer detyrimet e veta ndaj kontraktuesit pasi që nuk kishte siguruar fonde të mjaftueshme. “, thuhet në raport.

Komuna kishte nënshkruar memorandume mirëkuptimi me Ministrinë e Kthimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për financimin e disa  projekteve, përkundër se punët ishin kryer sipas organit mbikëqyrës pagesa ishte realizuar pas vendimit të përmbaruesit privat.

“Me vendim të përmbaruesit privat më 26.10.2017, Thesari i kishte kryer pagesat direkte nga buxheti i Komunës në shumë prej 201,103€, nga e cila shuma prej 197,101€ për obligime të papaguar ndaj Operatorit Ekonomik (OE), ndërsa shuma prej 4,002€ i ishte paguar përmbaruesit për shërbimet e kryera edhe pse faturat i ishin lëshuar dy ministrive të përmendura dhe jo komunës.”, thotë auditori.

Kësaj komune i janë grumbulluar edhe borxhet për shkak të mos-pagesave të faturave për projektet kapitale të nisura gjatë dy viteve të kaluara.

“Si rezultat i mos menaxhimit të duhur të kontratave për investime kapitale, komuna ka ngelur me obligime prej 3,406,722€, që janë edhe obligime nga viti 2016 dhe të cilat nuk ishin shpalosur dhe raportuar si obligime në PFV të vitit 2016”, thuhet në raport.

Në raportin e Auditorit thuhet se komuna e Leposaviqit ka pasur një nivel shumë të ulët të të hyrave për shkak se komuna vazhdon të mos zbatoj Ligjin për tatimin në pronë dhe ligjin për ndërtimet.

Tutje në raporti e auditorit thuhet se në menaxhimin e personelit, komuna ende nuk ka njësi të personelit dhe vende kyçe mbeten të pa plotësuara.

Komuna është furnizuar me derivate mbi 57 mijë euro dhe me çmime të pa ndryshuar, përkundër që me kontratë obligohej që çmimet e derivateve të jenë bazuar të ndryshueshme bazuar në bursat ndërkombëtare.

“Ndonëse ka pasur ndryshime në çmimin e tregut, komuna gjithnjë është furnizuar me çmimin fiks për naftë prej 1.09€/L dhe për benzinë me çmim 1.10€/L”, bën të ditur auditori.

ZKA përmend faktin se komuna nuk mbanë shënime adekuate për shpenzimet për automjetet zyrtare, pasi zyrtarët nuk paraqesin kërkesa për përdorimin e automjeteve dhe nuk përgatisin urdhëresat për udhëtim zyrtar.

Parregullsi janë gjetur edhe në mënyrën e shpërndarjes së subvencioneve. Kjo komunë nuk ka fare rregullore për shpërndarjen e subvencioneve.

“Në mungesë të rregullores të gjitha subvencionet pa kufizim vlerash aprovohen me vendim të Kryetarit të Komunës dhe jo përmes miratimit nga Kuvendi Komunal”, thuhet në raportin e Auditorit.

Përfituesit e subvencioneve, sipas Auditorit, në asnjë rast nuk kanë dërguar raporte kthyese për mënyrën e shfrytëzimit të atyre mjeteve, për të konfirmuar se subvencioni i dhënë është shpenzuar për qëllimin për të cilin është dedikuar.

Auditorit identifikon se  komuna nuk zbaton si duhet rregullën financiare.

“Sipas rregullës financiare nr. 01/2013 Shpenzimi i parave publike, neni 24 Pranimi dhe pagesa e faturës, secila fature e pranuar duhet të protokollohet dhe evidentohet në librin e faturave, megjithatë, komuna nuk ka zbatuar kërkesën e përmendur, e cila ka rezultuar në një regjistër të pa azhurnuar të faturave të pa paguara”, thotë auditori.

Mangësi janë evidentuar edhe në adresimin e rekomandimeve të auditorit, pasi asnjë prej rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit për vitin 2016 nuk është zbatuar plotësisht.

Përveç kësaj, Komuna e Leposaviqit nuk ka fare auditor të brendshëm, pasi sipas Auditorit, kryetari nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur auditimit të brendshëm dhe përmirësimit të aktiviteteve të kontrollit të brendshëm të komunës.

Kreu i komunës së Leposaviqit Zoran Todiq përmes letër konfirmimit e njofton ZKA-në se ka pranuar draft raportin e auditimit dhe është pajtuar me të gjeturat e raporti dhe pa ndonjë koment.