Nga një stërvitje e Kosovës | Foto: FFK
Lënë Shqipërinë për Kosovën
Tre futbollistë pritet të kalojnë nga Shqipëria në Kosovë pas vendimit të FIFA-s, pikërisht ashtu siç ishin frikësuar edhe autoritetet e futbollit në Tiranë, edhe pse lojtarët që po bëjnë këtë lëvizje nuk janë yje të skuadrës.
Lojtari i lindur në Kosovë, Milot Rashica njoftoi të hënën përmes Facebook për vendimin e tij, që mori pothuajse një milion pëlqime dhe më shumë se 2 mijë komente që e uronin apo e kritikonin.
“Nuk ishte e lehtë për ta vendosur. Kam luajtur për një kohë të gjatë me skuadra të moshave të ndryshme në Shqipëri,” tha Rashica.
“Ky nuk është një vendim kundër Shqipërisë, por më shumë një vendim për Kosovën, ku kam lindur e jam rritur. Dua të jap kontributin tim në hapin e parë të Kombëtares së Kosovës,” shtoi ai.
Rashica gjithashtu tha se dëshira e tij personale është që të gjithë shqiptarët të kenë një kombëtare të përbashkët, duke shtuar se tanimë është “një ëndërr për të cilën mund të punohet”.
Rashica ishte një nga lojtarët që nuk u zgjodh nga trajneri i ekipit shqiptar, Gianni de Biasi për ta përfaqësuar shtetin në lojërat “Euro 2016” në Francë dhe komentuesit e sportit besojnë se ky ishte motivimi i tij për ndërrim të ekipit.
Gjithashtu të hënën Alban Meha, një lojtar i lindur në Mitrovicë të Kosovës shpërndau në Facebook një fotografi të tij në të cilën kishte veshur fanellën e Kombëtares së Kosovës duke sinjalizuar kështu ndërrimin e ekipit.
Meha gjithashtu nuk ishte zgjedhur për të luajtur me ekipin shqiptar në Francë. Goli i tij i fundit për ekipin kombëtar ishte në një ndeshje kundër Maltës në mars të vitit 2014.
Në një intervistë me Kanalin “Supersport TV Channel” të hënën trajneri De Biasi gjithashtu lajmëroi se Herolind Shala, një mesfushor i lindur në Norvegji me prindërit nga Kosova, pritet t’i bashkohet ekipit të Kosovës.
Shala ka pasur vetëm disa paraqitje me ekipin e Shqipërisë.
De Biasi tha se ndihet keq për largimin e Rashicës, sepse ai po planifikonte ta përfshinte në ekipin për ndeshjet kualifikuese për Kupën Botërore 2018.
“Unë besoj se ky vendim erdhi pasi nuk e zgjodha që të luajë në Francë, ose dikush tjetër ka mundur ta shtyjë që të largohet. Gjithsesi, gjithkush është i lirë që të bëjë zgjedhjet e veta, përderisa vjen nga zemra,” tha De Biasi për “Supersportin”.
Ai gjithashtu sugjeroi se të larguarit e tjerë mund të jenë nxitur nga mungesa e paraqitjeve për ekipin e Shqipërisë.
Trajneri u deklarua njëjtë në një intervistë për BIRN në maj të këtij viti.
“Unë besoj që ata që janë në ekip tashmë nuk do të largohen, përveç ndoshta disa lojtarë më pak aktivë që do të donin më shumë kohë për lojë,” tha ai.