I Lënduari: Policia Kërkoi të mos e Bëj të Madhe Rrahjen

Shqipdon Gabrica që ankohet se u sulmua nga vëllai i komandantit të stacionit policor në Lipjan, thotë se policia i ka kërkuar të mos e bëjë të madhe këtë ngjarje.

Sipas Gabricës, sulmi ndaj tij nga Naser Kaqara ndodhi para disa ditësh në fshatin Gadime të Lipjanit.

Gabrica tregoi për KALLXO.com se u sulmua me gurë dhe më pas edhe fizikisht nga Kaqara vetëm pse po kalonte nëpër një rrugicë me bagëti, nëpër të cilën paqara i kishte thënë se i lejonte të kalojnë vetëm ata që donte.

“Ka dalë ai me veturë nga mbrapa, është mbështetur dhe na ka shikuar nga vetura, kur jemi afruar diku në 50 metra ai e ka nxjerrë stupcin nga vetura na ka thënë se a për inati, a? Ka vrapuar me më goditur në kokë, unë kam ikur nga mbrapa edhe ai më ka goditur në dorë, rastin e kam lajmëruar në polici,” tha Gabrica.

Naser Kaqara është vëllai i Imer Kaqarës, komandantit të stacionit policor në Lipjan. Sipas Gabricës, komandanti Imer Kaqara ishte i pranishëm kur kishte ndodhur sulmi.

KALLXO.com përmes telefonit kontaktoi Imer Kaqarën, i cili nuk deshi ta komentonte rastin, ndërsa kontakti me Naser Kaqarën ishte i pamundur pasi që i akuzuari për sulm nga Gabrica nuk ishte në shtëpi kur u vizitua nga ekipi i KALLXO.com dhe më pas nuk e hapte telefonin.

Shqipdon Gabrica tregoi i habitur se policia i kërkoi ta minimizonte këtë rast.

“Policët më kanë thënë mos e bëni shumë të madhe se nuk tek është diçka shkoni në emergjencë se pa shkuar në emergjencë nuk mundemi me bë asgjë,” tha Gabrica.

KALLXO.com kontaktoi Policinë e Kosovës për ta pyetur rreth sulmit ndaj Gabricës. Florije Ahmeti, zëdhënësja e Policisë në Rajonin e Prishtinës tha se rasti është hapur për lëndim të lehtë trupor, ndërsa  i dyshuari është N.K .

Edhe pse nuk beson që do të hetohet sulmi ndaj tij, Gabrica tha se ka marrë një shkresë nga Inspektorati Policor.

“Unë nuk di, më duket se nuk duan ta hetojnë rastin, kemi qenë edhe në inspektorat jemi ankuar. Tani më ka ardhur një letër ku shkruante se ka shkuar në drejtori për me u marrë vendim,” tha Gabrica.

KALLXO.com e ka pyetur Inspektoratin Policor të Kosovës përmes postës elektronike se a është duke u hetuar komandanti i stacionit policor në Lipjan Imer Kaqara.

Inspektorati është përgjigjur se ankesa e Shqipdon Gabricës po hetohet nga ky institucion.

“Ju njoftoj se IPK-DShMA ka pranuar një ankesë nga qytetari Shqipdon Gabrica e cila ankesë  i është dërguar për hetim disiplinor në Drejtorinë e Standardeve Profesionale,” thuhet në përgjigjen e IPK-së.