Ilustrimi: Kallxo.com

Lëmshi i reformës zgjedhore

Instituti për Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar diskutimin me temën “Reforma zgjedhore e papërfunduar: Çfarë më tutje?”.

Të pranishëm nga këtë diskutim ishin përfaqësues të partive politike dhe nga shoqëria civile.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk janë për reformë zgjedhore, por për zgjedhje të parakohshme pasi situata politike në vend kërkon një gjë të tillë.

“Çështja më e keqpërdorur në Republikën e Kosovës ka qenë për reformën zgjedhore. Në zgjedhjet e 2010 ka pasur vjedhje industriale të votave. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë grupi zyrtar më seriozi në çështjet e procesin e zgjedhjeve dhe shumë çështje që i kemi dërguar kanë kaluar në lexim të parë për organizim të zgjedhjeve. Tash po flitet për reformë zgjedhore, ne si Lëvizje Vetëvendosje po themi se nuk i ka fajet ligji i zgjedhjeve por shkelja e atij ligji. Lëvizja Vetëvendosje nuk është për reformë zgjedhore në këto rrethana siç është tash pasi kemi një kuvend jofunksional dhe mund të mos ketë asnjë efekt dhe të mbesë sikur ai i vitit 2011. Ne jemi për zgjedhje të parakohshme pasi kemi një qeveri skandaloze dhe president që duhet të shkojë sa më parë”, tha Haxhiu.

Haxhiu po ashtu tha se nuk mund të bëhet reforma zgjedhore pa opozitën për shkak se deputetët në Kuvendin e Kosovës nuk janë të organizuar.

Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se ky grup parlamentar është për reformë zgjedhore e gjithashtu edhe për zona zgjedhore pasi që si deputet duhet të japin llogari për zonat të cilat po i sjellin në pushtet.

“Ka ngelur ajo reformë për shkak se partitë kanë qenë të përqendruar për fushata politike dhe për pushtet. Ne jemi për reformë zgjedhore duke mos përjashtuar se zgjedhjet e 2017 kanë qenë të mira. Ne jemi deputetë dhe duhet t’i japim llogari në zonën ku jemi votuar, po ashtu në vitet e pasluftës kemi pasur një mangësi nga diaspora që ju pamundësohet kjo e drejtë të vinë dhe të votojnë në vendin ku i përkasin”, deklaroi Isufi.

Po ashtu Isufi tha se duhet të pastrohen listat e votuesve që të kemi një proces sa më cilësor të zgjedhjeve.

“Pastrimi i listave gjithashtu duhet të pastrohen dhe nuk duhet të mendojmë për zgjedhje të momentit por duhet të mendojmë për një proces të mirë zgjedhor edhe me një teknologji të mirë që i përsos zgjedhjet. Ne jemi për reformës zgjedhore që të dalin zgjedhjet sa më stabile”, shtoi Isufi.

Arsim Bajrami nga Partia Demokratike e Kosovës tha se reforma zgjedhore do ta rriste kualitetin e Qeverisë  dhe nuk duhet të mbetet në gjysmë sikur nismat e tjera të kësaj çështjeje por të çohet deri në fund.

“Na duhet vullnet politik për ta çuar në fund reformën zgjedhore. Jemi në vitin e parë dhe duhet tash të fillohet reforma zgjedhore dhe jo në ndonjë krizë politik. Dhe ne si Parti Demokratike jemi për reformë zgjedhore në dy aspekte: aspektet administrative dhe menaxheriale dhe segmenti i dytë të jetë përmbajtësor dhe cilësor. Ne mund të mburremi për mbajtje e zgjedhjeve me standarde evropiane”, tha Bajrami.

Deputeti i NISMA-s Socialdemokrate, Enver Hoti tha se janë për reformë zgjedhore e gjithashtu të pastrohen edhe listat e votimeve.

“Nisma Socialdemokrate është për reformë zgjedhore por kemi plot  çështje që duhet të zgjidhen, pastrimi i listave të votimit, trupat zgjedhore që i monitorojnë zgjedhjet e shumë të tjera. Edhe duhet të shikohet që një votues të ketë një mundësi të votojë për pesë kandidatë ose të votojë vetëm një anëtarë. Ne po themi që është momenti i duhur për reformë zgjedhore”, tha Hoti.

Përfaqësues organizatash jo qeveritare dhe nga shoqëria civile thanë se janë për reformë zgjedhore, por ka shumë çështje që duhet të zgjidhen duke filluar debatet për reformë zgjedhore.

Arton Demhasaj nga organizata Çohu tha se përveç reformës zgjedhore duhet të shikohet edhe procesi i financimit të partive politike.

“Reforma zgjedhore duhet të bëhet por po ashtu duhet të rishikojmë dhe të ndalim financimin e partive politike nga bizneset e ndryshme për shkak se në momentin që ato parti të financuara nga ato biznese vinë në pushtet japin miliona euro për të njëjtat biznese për punë që duhet të ketë një tender të hapur”, tha Demhasaj.