Pal Lekaj - Foto: Facebook/PalLekaj

Lekaj: Prioritet i yni nuk është Isa Mustafa, janë rregullimi i gjërave të lëna keq nga klika e tij

Ka vazhduar edhe më tej polemika mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Më herët gjatë ditës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i ishte kundërpërgjigjur ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, pasi ai kishte thënë për media se opozita nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë por vetëm po tallet me qytetarët.

Mustafa ishte shprehur se me të vërtetë dikush po tallet me qytetarët, por jo opozita.

Nga ana tjetër, kundër deklarimit të Isa Mustafës, ka reaguar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Lekaj ka thënë se prioritet i tyre nuk është Isa Mustafa, por rregullimi i gjërave të lëna keq nga klika e tij.

“Nga viti 2017 kur ne erdhëm në pushtet, deri sot kur Isa Mustafa kritikon një sektor që tashmë ka filluar të digjitalizohet, ka rënie të aksidenteve me fatalitet për rreth 25%”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

Në postimin e Mustafës thuhet se ministri Lekaj duhet të mendoj si prind në lidhje me personat që kanë blerë patentë-shofer nga zyrtarët e tij. Kjo duke iu referuar arrestimit të 23 zyrtarëve nga departamenti i Ministrisë së Infrastrukturës për patentë-shofer në lidhje me shitjen e tyre.

Por Lekaj ka thënë se askush nuk është mbi ligjin, prandaj nëse ka veprime korruptive në cilindo sektor, drejtësia të ndërmarrë veprimet e saj.

“Ne as më të voglin veprim nuk e bëjmë, sikur dikur nga segmente të ish-qeverisë, për t’i ndalë punën drejtësisë në zbardhjen e secilës thashetheme”, ka deklaruar Lekaj. 

Më tej Lekaj ka shkruar edhe statistikat policore dhe të Ministrisë në lidhje me aksidentet.

Ju vazhdoni e vajtoni, sepse është e vetmja gjë që e bëni mirë dhe nëse ju duhet ndonjë karrige na thoni. Aksidentet e përgjithshme kemi zbritje për rreth 10%; Aksidentet me lëndime kemi ngritje për -15.33 %; Aksidente me dëme materiale në zbritje për 5 %; Aksiedentet me fatalitet janë në zbritje për – 25.71 %”, ka shkruar Lekaj.

https://kallxo.com/mustafa-per-lekajn-te-mendoje-si-prind-sa-shofere-kane-blere-leje-nga-zyrtaret-e-tij/

.