Lekaj porosi për Haradinajn: Gjithmonë do të jemi bashkë

Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj ka reaguar edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili ka thënë se e padrejta nuk mundi ta ligështojë asnjëherë, liderin e partisë së tij.

Lekaj tha se Haradinaj ‘gjithmonë ka sfiduar ballëhapur, e me burrëri si një burrështetas me nder e sakrificë’.

“Në krah me ty e fituam paqen, në krah me ty fituam shumë beteja, bashkë me ty e zhvilluam dhe e forcuam shtetin, e bashkë me ty do të dalim fitues edhe në këtë betejë. Gjithmonë do të jemi bashkë”, ka shkruar Lekaj.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si përfaqësues qeverisë së Kosovës.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

https://kallxo.com/haradinaj-per-ftesen-e-speciales-do-tu-pergjigjem-shpifesve/

https://kallxo.com/opsionet-kushtetuese-te-hashim-thacit-pas-renies-se-qeverise/