Lekaj kërkon që të mirren masa ndaj Serbisë
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në takimin e dytë të Këshillit Ministror të Komunitetit të Transportit, ka njoftuar përfaqësuesit e shteteve të tjera për pengesat që Serbia po i bënë karshi Kosovës.
Sipas Lekajt, praktikat e autoriteteve serbe për ndërrimin e targave të qytetarëve të Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, mospranimi i certifikatave që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, duhet të ndërpriten menjëherë.
Sipas një komunikate për medie, Lekaj i njoftoi anëtarët e tjerë për ratifikimin e Traktatit të Komunitetit të Transportit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe zbatimin e saj nga autoritetet vendase.
Lekaj po ashtu ka kërkuar nga Komisioni Europian që të ndërmarrë masa urgjente për rregullimin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave për operatorët kosovarë, me të gjitha shtetet nënshkruese të Traktatit.
Gjithashtu u diskutua për krijimin e lehtësirave në pikë kalimet kufitare dhe sigurinë në rrugë, të cilat burojnë nga deklaratat e Lubjanës, si dhe u miratua Deklarata e Përbashkët për një Strategji të re Hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, e cila ka për synim përmirësimin e shërbimeve të transportit ndërkombëtar hekurudhor për mallra dhe pasagjerë, brenda dhe përgjatë Ballkanit Perëndimor.
Në këtë mënyrë, Kosova po merr pjesë aktivisht në përcaktimin e politikave të transportit rajonal, duke u bërë edhe vendimmarrëse e barabartë me vendet e tjera të rajonit.
“Prioriteti ynë vazhdon të mbetet kompletimi i vendit me infrastrukturë moderne rrugore dhe hekurudhore, krijimi i lehtësirave të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave dhe në këtë mënyrë edhe faktorizimi i Kosovës në fushën e transportit rajonal dhe ndërkombëtar”, ka thënë Lekaj me këtë rast.