Lehtësohet Aplikimi për Leje Ndërtimi

Marrëveshja e Mirëkuptimit për “One Stop Shop” në mes të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komunës së Prishtinës, KEDS-it dhe KUR “Prishtina”, u nënshkrua sot.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, palëve të cilat aplikojnë për leje ndërtimi do t’u lehtësohet procedura duke aplikuar kështu në një zyrë të vetme në Komunën e Prishtinës (One Stop Shop) dhe jo veçmas në KEDS dhe në KUR Prishtina, siç ka ndodhur deri më tani”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga Zyra për Marrëdhënie me Media e Komunës së Prishtinës.

Në emër të kësaj komune marrëveshjen e nënshkroi kryetari Shpend Ahmeti. Ai tha se qytetarët tash do të kursejnë kohë dhe të gjitha shërbimet e aplikimit për leje ndërtimi do t’i kryejnë në komunë.

Sipas komunikatës, kjo marrëveshje u nënshkrua në ambientet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.