LDK: U Dëshmua se Demarkacioni ka Qenë Kauzë Fiktive

Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar edhe njëherë se do të mbështesë ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas LDK-së, kundërshtimi i deritanishëm i AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes ka qenë një kauzë fiktive.

“Kundërshtimi i deritashëm i saj, siç po dëshmohet haptazi, ka qenë vetëm një kauzë fiktive dhe jashtëzakonisht e dëmshme”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK-ja përmes kësaj komunikate ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin ratifikimin e kësaj marrëveshje.

“Në këtë moment të rëndësishëm, LDK-ja kërkon nga shumica parlamentare që ta dëshmojë mbështetjen për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet për marrëveshjen e demarkacionit, sipas kryeministrit Haradinaj pritet të mbahet javën e ardhshme.

Deri më tani, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do ta përkrahë ratifikimin e kësaj marrëveshje.