Stema e LDK-së - Foto: Facebook

LDK Tregon Pse Mungoi në Seancën për Haradinajn

Asambleja Komunale e Deçanit ka mbajtur sot një seancë të jashtëzakonshme lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë.

Në këtë seancë, gjatë të cilës u nxor një deklaratë me 6 pika, e cila kërkon lirimin e Haradinajt, kanë munguar asamblistët e LDK-së.

Kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj, tha se nuk e di arsyen e mosardhjes së këshilltarëve të LDK-së, dhe shtoi se është për të ardhur keq mungesa e tyre në këtë seancë ku u kërkua lirimi i Ramush Haradinajt.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së në Deçan, tha për KALLXO.com se nga 9 asamblistët e kësaj partie me 5 ka qenë i pamundur kontakti për shkak se nuk kanë pasur qasje në telefon dhe gjenden në pushime, ndërsa 4 të tjerët kanë thënë se nuk kanë qenë të njoftuar për këtë seancë të jashtëzakonshme.

“Edhe vet personalisht në ora 12:00 jam informuar për këtë seancë. Kjo është e vërteta dhe nuk ka ndonjë arsye tjetër pos që nuk jemi njoftuar. Nesër mbahet seancë në Kuvendin e Kosovës dhe aty është vendi ku duhet diskutuar dhe marrë qëndrime”, tha përmes telefonit Jeton Mushkolaj.

http://kallxo.com/asambleja-e-decanit-kerkon-lirimin-e-ramush-haradinajt/

Ndryshe, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është arrestuar më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia më 2004.

http://kallxo.com/arrestohet-ne-france-ramush-haradinaj/

Me urdhër të gjykatës së apelit të qytetit Colmar, Haradinaj është dërguar në paraburgim në pritje të një kërkese zyrtare nga Serbia për ekstradimin e ish-komandantit të UÇK-së në Beograd. Gjykata do ta shqyrtojë po ashtu vlefshmërinë juridike të kësaj kërkese.

http://kallxo.com/franca-e-mban-haradinajn-ne-paraburgim/