LDK. Foto: Ismet Beqiri/Facebook

Thaçi ia ofron një, LDK kërkon dy anëtarë në KQZ

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka reaguar në lidhje me vonimin e emërimin të anëtarëve të KQZ-së nga ana e presidentit, Hashim Thaçi.

“Presidenti Thaçi, përkundër afatit ligjor për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, sipas të cilit, jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend, që ishin certifikuar më 8 korrik 2017, ende nuk ka emëruar përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me çka ka bllokuar një institucion të pavarur dhe të përhershëm kushtetues”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas LDK-së Thaçi këtë vonesë po e bënë për interesa të koalicionit PAN.

“Me qëllim të zvarritjes akoma më shumë të këtij procesi, dhe me dëshirën për të ruajtur përbërjen aktuale të KQZ-së, e cila është në favor të koalicionit aktual qeverisës, presidenti Thaçi, çështjen e ndarjes së vendeve në KQZ e ka referuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, e që, siç është parë edhe nga vendimi i Gjykatës, sipas të cilit është refuzuar kërkesa e tij, një kërkesë e tillë ka qenë fare e paarsyeshme dhe e panevojshme”, thotë LDK.

LDK shton se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Kështu, duke e prolonguar këtë proces për gati një vit e gjysmë, si rrjedhojë, duke e defunksionalizuar tërësisht KQZ-në, presidenti ka vepruar në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit dhe përgjegjësitë e tij të përcaktuara në këtë akt, sipas të cilave, presidenti garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me kushtetutë”, thuhet në reagimin e tyre.

LDK konisderon se cështjen e ndarjes së vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka rregulluar qartësisht Kushtetuta e vendit dhe kjo çështje “në asnjë rast nuk mund të trajtohet si çështje e vullnetit të dikujt për përcaktimin e numrit dhe vendeve të subjekteve politike në KQZ, madje as e presidentit”.

“Andaj, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017, konform dispozitave përkatëse kushtetuese e ligjore dhe në frymën e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese rreth grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës (Rasti Nr. KOU9/14), Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duhet të ndahen në mes të tri subjekteve politike të cilat si të tilla kanë dalë nga zgjedhjet: koalicioni PAN, partia Vetëvendosje dhe koalicioni të cilin e përfaqëson LDK”, thuhet tutje.

LDK po ashtu ka shtuar se në KQZ kësaj partie i takojë dy anëtarë që emrat e tyre do t’i dërgojnë së shpejti.

“Në këtë mënyrë, Lidhjes Demokratike të Kosovës i takojnë dy anëtarë të KQZ-së  emrat e të cilëve shumë shpejtë do t’i dërgohen presidentit për emërimin përfundimtar të tyre. Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës është tejet e vendosur që të mos lejojë cenimin e përfaqësimit të saj në një institucion me rëndësi siç është KQZ dhe do të mbrojë të drejtën e saj të përfaqësimit në këtë institucion përmes të gjitha rrugëve ligjore dhe demokratike”, përfundon reagimi i tyre.