LDK: Shpend Ahmeti Gënjeu për Fillimin e Mësimit

Grupi i asamblistëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka akuzuar kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, se gënjeu qytetarët dje kur tha se në të gjitha shkollat mësimi ka filluar me kohë.

Përmes një komunikate, grupi i asamblistëve opozitarë thotë se ndërrimi i parë në gjimnazin “Ahmet Gashi” dhe një pjesë e konsiderueshme e paraleleve në gjimnazin “Eqrem Çabej” nuk kanë mbajtur mësimin për arsye të mosfunksionimit të sistemit të nxemjes qendrore.

Komunikata e LDK-së, e titulluar “Gënjeshtra e radhës”, vjen një ditë pas publikimit nga KALLXO.com të krypometrit, i cili e kishte zënë në rrenë kryetarin Shpend Ahmeti rreth deklaratës se në të gjitha shkollat e Prishtinës mësimi ka filluar me kohë.

Rrena e Shpend Ahmetit për Fillimin e Mësimit

Po ashtu, LDK thotë se shumë nxënës në fshatrat e Gollakut nuk patën mundësi të fillonin mësimin ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë sepse Komuna nuk i kishte angazhuar kompanitë për të hapur rrugët dytësore që shpijnë deri në vendbanimet përkatëse si në lagjet Bullaj, Canaj, Gulmivadë të fshatit Marec dhe te Simojt dhe Brahajt në fshatin Dabishec etj.

Për defektet në sistemin e ngrohjes së shkollave, LDK thotë se u shkaktuan nga neglizhenca e Komunës.

DKA, thuhet në komunikatë, kishte marrë një njoftim përmes emailit se këto shkolla duhet të kursejnë naftën gjatë pushimit dimëror dhe nuk duhet t’i ndezin kaldajat.

“Kjo pakujdesi, në emër të kursimit, ka bërë që të ketë defekte dhe mosfunksionim të sistemit të nxemjeve në shumë institucione shkollore, në të cilat semestri i dytë nuk filloi me kohë”, thonë asamblistët e LDK-së.