Foto: Arban Abrashi/Facebook

Anton Quni, kryetar i ri i LDK-së në Prizren

Dega e LDK-së në Prizren, sot ka mbajtur Kuvendin e saj Zgjedhor, ku nga 99 delegatët e pranishëm 54 prej tyre kanë votuar për deputetin, Anton Quni, si kryetar të ri të këtij subjekti politik në Prizren, kundrejt kundërkandidatit të tij të vetëm, Driton Selmanaj, i cili ka marrë 45 vota.

Televizioni i Prizrenit ka njoftuar se kryetari në largim, Haxhi Avdyli, kishte deklaruar se procesi zgjedhor brenda partiak, ka shkuar në frymë të lartë demokratike.

Para procesit të votimit, Anton Quni, kishte thënë se në rast të besimit të marrë, do të angazhohet për t’i a kthyer shkëlqimin kësaj partie.

Ai tutje ka kërkuar që të ketë më shumë unitet dhe bashkëpunim brenda këtij subjekti politik.

Në anën tjetër, kundërkandidati Driton Selmanaj, kishte deklaruar se pavarësisht rezultatit, ai do të vazhdojë të jetë në shërbim të rifuqizimit të LDK-së dhe përkrah kundërkandidatit të tij.

Anton Quni, në këtë post do të zëvendësojë, Haxhi Avdylin, i cili ka udhëhequr me LDK-në e Prizrenit gjatë mandatit të fundit katër vjeçar.