LDK: Ministri Ismaili më shumë merret me foto se me problemet në shëndetësi

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka folur për gjetjet e raportit të progresit në fushën e shëndetësisë si dhe gjetjet e raportit të auditorit.

Naser Rugova, deputet i LDK-së, tha se që nga kthimi në pikën zero i projektit për Sistemin Informativ Shëndetësorë, ministria e udhëhequr nga Uran Ismaili nuk ka marrë ndonjë hap për rifunksionalizaimin e këtij projekti.

“Projekti i filluar për sistemin informativ është kthyer në pikën zero që pothuajse 21 muaj nga ardhja e kësaj qeverie, nuk ka asnjë lëvizje konkrete për rifillimin e këtij projekti që është parakusht për zhvillimin e sigurimeve shëndetësor”, tha ai.

Tutje Rugova tha që të gjitha këto tregojnë për një dështim total të sistemit të shëndetësisë.

“Të gjeturat e tjera në strategjinë e sektorit shëndetësisë tregojnë që nuk është shënuar ndonjë përparim, niveli të produktivitetit në shërbimet shëndetësore, pacienti paguan 40 për qind nga gjepi i vet. Këto gjetje dhe vlerësime të argumentuara të një institucione kaq të rëndësishëm e kanë një emërues të përbashkët që është dështim total i shëndetësisë së Kosovës”, shtoi tutje ai.

Haxhi Avdyli , deputet i LDK-se në Kuvendin e Kosovës, njëherësh edhe anëtarë i komisionit për shëndetësi përmendi mungesën e ministrit Ismaili në sot në komision.

“Ne sot po vim nga mbledhja e komisionit e cila është hera e dytë që është duke dështuar, kjo tregon që kjo qeveri dhe ky ministër nuk është i përgjegjshëm para qytetarëve, ka kohë që ministrin nuk jemi duke e parë aktiv, më së shumti që merret me shëndetësinë janë disa foto të bukura nga SHSKUK-ja. Asnjë ligj nuk ka ardhur në komision, i vetmi ligj i aprovuar ka qenë ligji për gjakun dhe produktet e gjakut”, tha ai.

Sipas Avdylit kthimi në pikën zero i projektit të Sistemit Informativ Shëndetësorë ka ndodhur vetëm në mënyrë që të përfitojnë familjarë të PDK-së.

“SISh u kthye në pikën zero me të vetmin qëllim që këtë sistem ta merr njëri nga familjarët e politikanëve të lartë të PDK-së”, tha ai.

Sipas tij të gjitha shkeljet e evidentuara nga të dy raportet e dëmtojnë më së shumti qytetarin e Kosovës.

“Edhe raporti i auditimit ka gjeturat të gjetura të shumta tek lista esenciale, sot qytetari i Kosovës po paguan dy herë, e para përmes tatimeve dhe e dyta qytetari prape po paguan për barnat, atëherë dy herë po e dëmtojnë qytetarin tonë”, theksoi ai.

Sot ministri i shëndetësisë Uran Ismaili ishte ftuar të raportonte para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me procesin e revidimit të listës esenciale të barnave dhe përfshirja e barnave për sëmundjet e rralla si dhe informatën rreth furnizimit të SHSKUK-së me infuzione, mirëpo mungoi pa dhënë ndonjë sqarim shtesë.