Stema e LDK-së - Foto: Facebook

LDK me Mocion në Lidhje me Vrasjet e Pasluftës

Seanca e Kuvendit ku do të diskutohet për buxhetin nisi me një mocion të LDK-së kundër deklaratave të përfaqësuesit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Nasim Haradinaj.

Haradinaj deklaroi pardje se “nuk është punë e madhe që janë vrarë anëtarë të LDK-së”.

Avdullah Hoti e lexoi në seancë mocionin që përveç dënimit të deklaratave të Haradinajt, kërkoi ndriçimin e vrasjeve të pasluftës.

“Kuvendi dënon gjuhën fyese të përdorur nga përfaqësuesi i UÇK-së për të vrarët politik të LDK-së pas lufte. Kërkojmë që këto krime të zbardhen ngase veç me zbardhjen e tyre, Kosova bëhet vend ku sundon ligji. Kërkojmë nga kuvendi të mbështes këtë mocion përmbajtësor”, tha Hoti.

Pastaj kryetarët e grupeve parlamentare të Vetëvendosjes, PDK-së AAK-së, e Nismës e 6 Plusit e dënuan gjuhën e përdorur nga Haradinaj.

U vendos që pas kryerjes së procedurave mocioni të dalë në votim.