Agim Gashi - LDK

LDK kritikon Shpend Ahmetin për transportin dhe parkingun publik në kryeqytet

Asamblistët e Lidhjes Demokratike në Prishtinë, përmes një konference për media kanë kritikuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për transportin publik dhe parkingjet publike.

Agim Gashi nga LDK, ka thënë se kryetari Ahmeti ka bërë marrëveshjen me Trafikun Urban, si garantues i parë i kredisë ndaj BERZHh-it, pa e dërguar për miratim në kuvendin komunal këtë marrëveshje.

“Kryetari ka nënshkruar një marrëveshje me Trafikun Urban për kompenzim në transportin publik, nga i cili kompenzim, vetëm për tremujorin e parë të vitit 2019 Trafiku Urban ka përfituar rreth 250 mijë euro. Marrëveshjen me Trafikun Urban dhe kompensimin mujor për linjën 1, 3 dhe 5, kryetari e ka bërë pa e dërguar miratimin në kuvend dhe pa i specifikuar këto mjete se për çfarë po i destinon kësaj ndërmarrje, që mendojmë se ka bërë shkelje procedurale apo shkelje tjetër”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, shumë fshatra të komunës së Prishtinës nuk kanë fare shërbime të transportit të ofruara nga komuna dhe qytetarët po paguajnë çmime “marramendëse” për transport.

Tutje Gashi ka thënë se komuna e Prishtinës inkason taksë për shfrytëzimin e parkingut prapa Pallatit të Rinisë, pa kontratë, pasi sipas tij kontrata për dhënie në shfrytëzim të kësaj hapësire, ka skaduar para disa viteve.

“Sipas ligjit për prokurim publik, nuk ka kontrata të përjetshme dhe nëse është kështu, komuna ka bërë inkasim të paligjshëm për këtë hapësirë dhe se ky veprim është tejet i papranueshëm dhe jo ligjor”, ka deklaruar Gashi.

Gashi gjithashtu ka thënë se këto nuk janë akuza për kryetarin Ahmeti, por shfaqje e të vërtetës, ku sipas tij, ka shkelje nga qeverisja e Ahmetit në Prishtinë.