Stema e LDK-së - Foto: Facebook

LDK Konteston Emërimin e Ambasadorëve Politikë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sot pasi që në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme është intervistuar një kandidat për ambasador e që është mbajtur më dyer të mbyllura.

Kryetarja e këtij komisioni Vjosa Osmani së bashku me deputeten tjetër të LDK-së, Doruntinë Maloku kanë refuzuar të marrin pjese në këtë mbledhje.

LDK po e cilëson këtë proces si të paligjshëm.

LDK në këtë komunikatë nuk e ka përmendur emrit e kandidatit të intervistuar.

Arsyeja e refuzimit të marrjes pjesë në këtë mbledhje sipas LDK-së është që neni 7.7 i Ligjit të Ministrisë së Punëve të Jashtme e specifikon se 50% e të emëruarve duhet të jenë ambasadorë të karrierës ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politik.

“Meqenëse përqindja e të emëruarve politikë në Ambasadat e Kosovës anekënd botës tashmë është tejkaluar dhe arrin në rreth dy të tretat , gjë të ciën e ka konfirmuar edhe vet Ministri i Jashtëm, z. Pacolli, përfaqësueset e LDK-së në Komision, kanë propozuar që mos të ketë emërime të reja politike derisa të rregullohet kuota prej 50/50, e kërkuar”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK përmes kësaj komunikatës konsideron se nënshkrimi i rekomandimeve të tilla nga ana e Presidentit të Kosovës, bie ndesh me ligjin dhe tejkalon kompetencat e tij kushtetuese.