Stema e LDK-së - Foto: Facebook
LDK Kërkon Raportim për Ndotjen e Ajrit në Prishtinë
Grupi Parlamentar i LDK-së përmes një komunikate për shtyp kanë thënë se do t’i ftojnë për raportim ministren e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kryeshefin e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, drejtorin e KEK-ut, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik si dhe institucionet kompetente ndërkombëtare në vendin tonë për sanimin e gjendjes së krijuar që rrezikon në masë shëndetin e popullatës së kryeqytetit të Republikës së Kosovës dhe rrethinës.
“Si Grup Parlamentar i LDK-së shprehim indinjatën dhe reagojmë ashpër që edhe pas këtyre raporteve alarmante që rrezikojnë shëndetin e popullatës ku janë të koncentruar rreth 40% e popullatës së Kosovës në kryeqytetin e Kosovës dhe rrethinën e tij, qe dy ditë nga këto alarme serioze nga institucione kredibile vendore dhe ndërkombëtare, nuk kemi as më të voglin reagim nga institucionet e shtetit të Kosovës, as nga qeveria, ministria përkatëse por edhe nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës si institucion kompetent për matjen dhe monitorimin e parametrave të cilësisë së ajrit në vendin tonë”, theksohet në komunikatën e grupit parlamentar të LDK-së.
Në komunikatë thuhet se grupi parlamentar i LDK-së ka analizuar me kujdes gjendjen e krijuar dy ditët e fundit dhe me urgjencë do të marrim hapat ligjorë dhe institucional që të ndikojmë sa më shpejt për sanimin e kësaj gjendje alarmante.
“Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka pranuar me shqetësim të madh njoftimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për parametrat tejet të lartë të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe rrethinën e saj, bazuar në matjet ditore të cilësisë së ajrit që i realizon ambasada e SHBA në Kosovë”, potencohet në komunikatë.
Grupi Parlamentar i LDK-së po ashtu kritikon Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës se nuk i ka këshilluar qytetarët se si të përballen me ajrin e ndotur.
“Që papërgjegjësia të kalojë në injorancë një këshilltar i kabinetit të Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor publikisht ju sugjeron qytetarëve të kryeqytetit dhe rrethinës që të qëndrojnë brenda. Është edhe një nga dëshmitë e radhës që kjo qeveri dhe kjo logjikë qeverisëse ka degraduar dhe ka humbur çdo kriter moral, politik dhe profesional”, thuhet në komunikatë.
KALLXO.com raportoi sot për reagimin e ministres së Mjedisit rreth shqetësimeve të ngritura nga qytetarët rreth nivelit të lartë të ndotjes së ajrit.