Pal Lekaj para Komisionit Hetimor Parlamentar per rastin e gjashte shtetasve turq - FOTO KALLXO - 21.11.2018

LDK e VV e padisin Kryesinë e Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK janë bërë bashkë për të ushtruar padi ndaj Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Arsye për këtë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sipas Xhelal Sveçlës dhe Driton Selmanajt që udhëheqin Komision hetimor është pengimi që Kryesia e Kuvendit i ka bërë punës së komisionit hetimor parlamentar për rastin e deportimit të 6 shtetasve turq vitin e kaluar.

“Për shkak të pengimit në përmbushjen e detyrës së Komisionit për ndriçimin e rastit të gjashtë shtetasve turq, si udhëheqësit e këtij Komisioni, përkatësisht nga pozitat e kryetarit, Xhelal Sveçla dhe nënkryetarit të komisionit, Driton Selmanaj, të hënën kemi ushtruar një padi në Gjykatën themelore të Prishtinës, departamentin për çështje Administrative”, thuhet në komunikatën e përbashkët të këtyre dy partive.

Përmes kësaj padie, ata për kërkojnë marrjen e masave administrative ndaj Kryesisë së Kuvendit për shkak se nuk po lejon që ky komision t’i përmbushë detyrat e veta ligjore, pasi që s’po i vazhdohet mandati i përcaktuar me ligj.

“Pretendimi i Kryesisë se zgjatja e mandatit bëhet vetëm me një kërkesë formale të bërë nga Komisioni brenda afatit 4 mujor, është i paqëndrueshëm meqë Ligji për Hetim Parlamentar, në të gjitha pikat e Nenit 6 njeh një afat prej gjashtë muajsh për tu përmbyllur mandati i një komisioni hetues”, thuhet në këtë komunikatë.

Anëtar i Kryesisë së Kuvendit është edhe deputeti i LDK-së, Kujtim Shala. Anëtarët e tjerë janë, Xhavit Haliti, Aida Dërguti, Mufera Srbica Sinik dhe Slavko Simiq.

Në këtë komision hetimor parlamentar janë intervistuar shumë zyrtarë për të cilët, ky komision ka besuar se kanë informacione mbi rrjedhën e ngjarjeve.

I ftuar për t’u intervistuar ka qenë edhe Presidenti Hashim Thaçi por i njëjti nuk ju është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese.