Konferenca e LDK-së - 03.08.2019.

LDK e mban të fshehtë listën e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së djeshme përveç që ka zgjedhur kryetarin e partisë, i ka zgjedhur edhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Mirëpo, deri më tani LDK nuk ua ka dërguar mediave ende listen e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.

Kallxo ka kontaktuar më disa zyrtarë të LDK-së, por ata kanë deklaruar se nuk e posedojnë listën.

Sipas tyre, lista do të bëhet publike ditëve në vijim.

“Unë nuk e kam, si ta marr ua dërgoj se të gjithë po e kërkoni”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Kurse Ismet Beqiri ka deklaruar për Kallxo.com se këtë listë e ka kryetari.

“Më vjen keq por vërtetë nuk e kam, e ka kryetari. Ditët në vijim e publikojmë në webfaqen e LDK-së”, ka theksuar Beqiri.

Edhe anëtari tjetër i LDK-së, Bajram Geci ka thënë se nuk e posedon listën.

“Nuk e kam, sinqerisht”, është shprehur Geci për Kallxo.com.

Edhe pse kjo listë nuk u bë publike, anëtarë të LDK-së gjatë ditës së djeshme filluan të deklarohen se janë votuar për të qenë pjesë e këtij Këshilli.

Sipas statutit të LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm është organi më i lartë i partisë.

Gjithashtu, është po ky Këshill, i cili vendos se kush duhet të jetë kandidati për kryeministër.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së numëron 99 anëtarë.

98 anëtarë i zgjedhë Kuvendi Zgjedhor, ndërsa kryetari është anëtar automatikisht.

Përveç që është anëtar, kryetari i partisë është edhe kryetar i Këshillit.

Me aklamacion LDK e ka zgjedhur Isa Mustafën kryetar të ri të partisë. Votimi është kryer pas kandiaturës së Isa Mustafës e Fatmir Sejdiut.

Mirëpo, Fatmir Sejdiu nuk e ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t`u futur në garë.Kallxo.com ka marrë vesh se Fatmir Sejdiu ka marrë 78 vota nga 355 delegatë sa janë brenda.

Ky është mandati i tretë radhazi për Isa Mustafën në krye të LDK-së.Isa Mustafa para vetes tani ka një sfidë.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen brenda pak javëve për shkak të dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga detyra e kryeministrit.

Për shkak të shëndetit të tij, Isa Mustafa mund të vendos të mos kandidoj për kryeministër, qysh zakonshëm ka ndodhur me partitë politike në Kosovë, ku kryetari i partisë është edhe kandidati për kryeministër, përjashto zgjedhjet e para dy viteve.

Koalicioni parazgjedhor i LDK-së me AKR-në dhe Alternativën kishte nxjerrë kandidat për kryeministër, Avdullah Hotin.

Gjithashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte nxjerrë kandidat për kryeministër Albin Kurtin, ndonëse kryetar i partisë në atë kohë ishte Visar Ymeri.

Isa Mustafa është edhe anëtar i Akademisë së Shkenacave dhe Arteve të Kosovës.

Isa Mustafa kryetar i ri i LDK-së