LDK dhe VV arsyetojnë mungesat e deputetëve në seancën për dialogun

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës diskutuan mungesën e deputetëve në sallë në seancën e Kuvendit të Kosovës për dialogun me Serbinë.

Pavarësisht se subjektet opozitare vazhdimisht kanë kërkuar që të miratohet rezoluta e cila do të ia pamundësonte presidenti Thaçi diskutimin e territorit të Kosovës, në ditën kur do të votohej kjo rezolutë, LDK-së dheVV-së, u munguan  hiq më pak se 6 deputetë.

E mungesat e këtyre deputetëve i arsyetuan në mënyra të ndryshme kolegët e tyre duke thënë që jemi njerëz dhe duhet t’i kuptojmë mungesat e “arsyeshme”.

Besa Gaxherri, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha për KALLXO.com se seanca e djeshme ka vulosur qëndrimin e të gjithë deputetëve kundër idesë së  presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit.

“Gjatë debatit dy ditor është vërejtur që të gjithë kanë qenë kundër iniciativës së presidentit, të gjitha partitë politike dhe askush nga deputetët e pranishëm nuk kanë votuar kundër kësaj rezolute. Frika ose shantazhi i presidentit Thaçi brenda koalicionit është çështje e tyre dhe jam e sigurtë që të gjithë deputetët në sallë kanë qenë pro rezolutës, por ne si opozitë e kemi votuar dhe do ta hedhim në rivotim këtë rezolutë”, tha ajo.

Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje , Ismajl Kurteshi tha se mungesat e djeshme nuk paraqesin jo seriozitet të LDK-së pasi që sipas tij kanë qenë të arsyeshme.

“Ka pasur edhe deputetë të Vetëvendosjes që nuk kanë qenë në seancë por që kanë pasur arsye të plotë. Mungesa nuk shpërfaq mungesë të seriozitetit nëse kësaj nuk ia shtojmë edhe arsyen”, tha Kurteshi.

Ndërkaq i vetmi subjekt opozitar i cili nuk pati mungesa të deputetëve dhe votoi unanimisht rezolutën ishte Partia Socialdemokrate .

Natyra Kuqi, zëdhënëse e kësaj partie ka thënë se dështimi i rezolutës tregon arrogancën e pushtetit dhe është dëshmi që nuk kanë efekt veprimet e njëanshme opozitare.

“Seanca e djeshme plenare do të duhej më në fund ta këndellë edhe një pjesë të opozitës. Që ajo të nxjerrë mësime nga ky dështim, duke kuptuar se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara brenda opozitës, përkatësisht mungesa e një plani dhe strategjie të veprimit të përbashkët opozitar brenda dhe jashtë Kuvendit të Republikës, nuk po japin efekte dhe rezultate konkrete”, tha ajo për KALLXO.com.

Ndërkaq analisti politik Ramush Tahiri tha se rezoluta e opozitës për dialogun ka qenë një rezolutë e mangët dhe e pakoordinuar dhe si e tillë edhe ka dështuar.

“Një rezolutë është e fuqishme jo pse përkrahet nga opozita por sepse ka argumente, asnjë rezolutë nuk është e mirë nëse ka përçarje pozitë-opozitë, kjo është mangësia dhe jo serioziteti i deputetëve. Nëse LDK-ja e shfrytëzon për interesa partiake rezolutën atëherë nuk është parti e mirë, por nëse LDK-ja ka alternativën dhe e dinë se çka duhet në këto bisedime ajo duhet të hyj dhe ta votoj propozimin e pozitës me kryenegociator, Fatmir Limajn, rezoluta e tillë nuk ka mundur të miratohet”, tha ai.

KALLXO.com ka shkruar për mungesën e deputetëve në këtë seancë:

https://kallxo.com/deputetja-e-vv-se-tregon-pse-mungoi-ne-seancen-per-rezoluten-per-dialogun/