LDK dhe LVV, kërkojnë masën e përkohshme për Ligjin e Dialogut nga Gjykata Kushtetuese

Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se partitë opozitare LDK së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Dilaogun.

Selamanaj në konferencë për media tha se kanë vendosur që këtë ligj ta procedojnë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit.

“Po e kontestojmë në tërësi këtë projektligj sepse është në kundërshtim me shumë nene të kushtetutës”, tha ai duke përmendur se sipas tyre është shkelur neni 2, 4, 7, 18, 20, 65, 93 dhe neni 90 i Kushtetutës së Kosovës”, tha Selmanaj.

Sipas tij ka tendencë të deformimit institucional të pushteteve në Kosovë.

Besojmë që edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese të rrëzohet ky projektligj.

Albulena Haxhiu nga LVV tha se Kuvendi do të duhej deri tani ta kishte miratuar një dokument ku e ndalon presidentin Hashim Thaçi të marr pjesë në këtë  “aventurë”.

Një qeveri ‘pa legjitimitet’ sipas saj nuk mund të vijoj më këtë proces e aq më pak të krijoj delegacione.

“Ne sot dorëzuam kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë të projektligjit për dialogun”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se përveç arsyetimit juridik dhe shkeljeve kushtetuese kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe vendosjen e menjëhershme të masës së përkohshme.

Sipas saj zgjidhja më e mirë për këtë situatë do të ishin zgjedhjet e parakohshme.