PDK - Foto: Facebook

Largohet nga PDK një zyrtar i lartë i saj

Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Shurdhaj, sot përmes një publikimi në Facebook ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.

“Interesat personale, familjare dhe klanore të PDK-së në Malishevë” janë arsyet e përmendura nga Shurdhaj për dorëheqjen nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ai thotë se qytetarët janë të zhgënjyer nga bartësit e strukturave të PDK-së, “të cilët janë njerëz të korruptuar, aferat e të cilëve po shihen qartazi në media”.

Shurdhaj me gjasë aludon në rizgjedhjen e Isni Kilajt kryetar të PDK-së në Malishevë dhe raportimet për afërsinë e tij me të dyshuarin për fajde, Adil Thaqin.

https://kallxo.com/hashim-thaci-dhe-isni-kilaj-kembekryq-ne-ode-me-te-dyshuarin-per-fajde/

Ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj së bashku me dhjetë zyrtarë të lartë të institucioneve janë të akuzuar për aferën e njohur si “Pronto”.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Letra e plotë e Shurdhajt:

I nderuar Kryetar Veseli, përmes kësaj letre dëshiroj të ju njoftoj se kam marr vendim për largim nga Partia Demokratike e Kosovës.

Si anëtar i PDK-së qe nga themelimi e deri më sot kam kryer detyra të ndryshme për PDK-në, asnjëherë nuk jam kursyer në angazhimin tim profesional dhe kam kryer me përgjegjësi detyrat qe më janë ngarkuar nga programi i PDK-së.

Kohet e fundit thellësisht jam i zhgënjyer me proceset politike brenda PDK-së , e në veçanti në degën e Malishevës me kuadrat e vjetra të cilat kanë degraduar vlerat politike të PDK-së qe kanë punuar vetëm për interesa personale familjare dhe klanore duke e dëmtuar imazhin e PDK-së qe nga kuvendi i parafundit me 2014 e deri më sot.

Siç jeni në dijeni me sugjerimin tuaj kam qenë i angazhuar për më shumë se 6 muaj si anëtar i grupit strategjik për ta reformuar dhe rritur degën e PDK-së nëpër të gjitha fshatrat e Malishevës ku me sukses kemi arritur qe mbi 30 nëndege të fshatrave qe nuk kanë qenë fare aktive ti riaktivizojmë dhe të krijojmë struktura të reja . Zgjedhjet përfunduan nëpër nëndegë dhe pa asnjë incident deri në kuvendin e ri fale angazhimit të Grupit strategjik dhe komisionit zgjedhor i monitoruar nga qendra.

Me besimin më të madh qe Dekada e re do të sillte njerëz të rinj dhe frymë të re politike në programin e PDK-së të cilin e përqafuan shumë qytetare dhe intelektuale nga treva jonë por fatkeqësisht po ndodhe e kundërta në PDK që po zhgënjen qytetaret të cilët nuk kanë pritur qe prapë njerëzit e vjetër e të dështuar , të korruptuar të jenë prapë bartës të strukturave të PDK-së të cilët publikisht po shihen edhe në afera të ndryshme të paraqitura nga mediet tona.

Si një prej kandidateve më të votuar nga katër pale zgjedhje kam pasur mandat të qytetareve ti përfaqësoj si deputet në Kuvendin e Kosovës por edhe në Kuvendin e fundit zgjedhor si njeri nder më të votuarit nuk mundem ta gjej vetën në mesin e atyre qe më tepër se 10 vite PDK në Malisheve e kanë degraduar dhe përdorur vetëm për interesa personale .

Duke ju falënderuar juve dhe gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së , me të cilët sinqerisht kam bashkëpunuar par këto 19 vite rrugëtim së bashku, unë kam vendosur qe përfundimisht të largohem nga PDK-ja për arsyet e lartcekura”, thuhet në letrën e Shurdhajt.