Lansimi i projektit "E-Kutia" - Foto: ZKM

Lansohet Projekti që Matë Cilësinë e Shërbimeve Administrative

Përmes projektit elektronik “e-Kutia”, i cili u lansua sot, qytetarët e Kosovës do të mund të matin dhe vlerësojnë nivelin e shërbimeve administrative që ofrohen nga institucionet e vendit.

Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa tha se ky projekt do të jetë i rëndësishëm për procesin e reformës së administratës publike, për modernizimin e saj dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Matja e opinionit të qytetarëve përmes mënyrës elektronike, presim që do të kryejë një funksion të dyfishtë: në njërën anë përmes këtyre kutive, do të kenë mundësi që qytetarët të shprehin opinionet e tyre për shërbimet administrative që atyre iu ofrohen, por në anën tjetër, po ashtu edhe ministritë përkatëse, edhe organet qendrore, do të kenë informata të mjaftueshme, në mënyrë që të përmirësojnë politikëbërjen e tyre, përmes shfrytëzimit të këtyre të dhënave konkrete në të cilat ata do të kenë qasje”, tha kryeministri Mustafa

Mustafa u zotua se programe të tilla të ngjashme që kanë të bëjnë me transparencën do të përkrahen edhe në të ardhmen.

“Në emër të Qeverisë shpreh zotimin se ne do të përkrahim gjithmonë programe të ngjashme të cilat adresojnë nevojën që të perfeksionohen dhe të bëhen sa më të lehta në shërbimet që iu ofrohen qytetarëve dhe ato të bëhen publike dhe transparente edhe për qytetarët dhe për institucionet e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.

Ndërsa, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka thënë se shpreson se në të ardhmen do të zgjerohet matja e opinionit edhe për aspekte të tjera që lidhen me ofrimin e shërbimeve administrative, si: kohëzgjatja e marrjes së shërbimeve, pagesën për shërbimin e ofruar, mirësjelljen e zyrtarit që ofron shërbimin, etj.

“Sepse qëllimi kryesor është krijimi dhe rritja e kualitetit të ofrimit të shërbimeve në dobi të qytetarëve, bizneseve dhe vetë administratës”, tha ministi Yagcilar.

Projekti “E-Kutia” u lansua në bashkëpunim me UNDP-në.

Redaktoi: Naser Sertolli