"Ruje, mos e gjuj" Foto: KALLXO.com

Lansohet projekti për riciklim ‘Ruje, mos e gjuj’

Sot me rastin e ditës botërore të riciklimit, në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, është lansuar projekti ‘Ruje, mos e gjuj’ me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve rreth menaxhimit të mbeturinave dhe riciklimit.

Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se ky projekt është një shembull i mirë i vetëdijesimit të qytetarëve rreth grumbullimit të kanaqeve dhe shisheve për të mbrojtur ambientin. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të jetë në mbështetje të vazhdueshme të këtij projekti dhe projekteve tjera të kesaj natyre, shtoi ai.

Neritan Tira, Drejtori ekzekutiv i Coca-Cola HBC Kosova, tha se të gjitha kompanitë dhe të gjithë qytetarët duhet të jenë përgjegjës për mbeturinat që i gjenerojnë.

“Nuk është e lehtë te krijohet një botë pa mbeturina dhe për këtë jemi përgjegjës të gjithë.  Kompanitë duhet të jenë të përgjegjshme për mbeturinat e tyre, po ashtu të gjithë njerëzit janë përgjegjës.”, tha Tira.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e “Green Art Center”, Merlina Beu-Muçaj, gjithashtu shprehu përkrahjen për projektin dhe i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të praktikojnë ndarjen e mbeturinave të riciklueshme në hapësira e tyre dhe të krijojnë një kulturë të re mjedisore për gjeneratat e ardhshme.

“Ne bashkërisht mundemi, do t’ia dalim dhe do ta bëjmë një Kosovë ekologjike.”

Projekti është iniciuar nga Coca-Cola HBC, mbështetur nga Ministria e Mjedisit, me implementues ‘Green Art Center’. Projekti fillon në muajin mars dhe do të implementohet në katër pika: Qendrën e Studentëve në Prishtinë, Kolegjin AAB, Kolegjin RIT, dhe në komunën e Vushtrrisë. Ky projekt përfundon në nëntor të vitit 2019.

Në këtë ngjarje u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes partnerëve të këtij projekti.