MInistria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Foto: Atdhe Mulla

Lansohet projekti për punësimin e të rinjve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë ditës së sotme ka lansuar projektin “Ndërmjetësimi në punë për të rinjtë”, në skemat “Trajtimi në punë dhe praktikë në punë”.

Me rastin e lansimit të këtij projekti, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, përmes një postimi ka thënë se projekte të tilla kanë qëllim për të ofruar punësim për të rinjtë e Kosovës.

“Qëllimi i përgjithshëm i projektit është që të ofrojnë shërbime të punësimit që përfshijnë veprimtarinë për këshillim, orientim në karrierë, trajnim të punëkërkuesve dhe të papunëve të rinj dhe ndërmjetësim tek punëdhënësit në skemën e trajnimit në punë dhe praktika në punë”, ka shkruar Gashi.

Tutje ai ka shtuar se projekti synon të avancojë njohuritë dhe kompetencat e të rinjve të moshës 18-24 vjeç të zonave rurale në të gjitha rajonet e Kosovës përmes skemës së trajnimit në punë dhe skemës së praktikës në punë dhe se në të dy skemat do të përfshihen 200 të rinj.