Lansimi i platformës | Foto: KALLXO.com

Lansohet Platforma që Ndjek Përmbushjen e Premtimeve të Politikanëve

Organizata “Demokraci Plus” ka lansuar platformën online “QeverisjaTani” e cila ka për qëllim të ndjekë progresin e përmbushjes së top 100 premtimeve elektorale të partive në koalicionin qeverisës.

Frank Hantke, drejtor ekzekutiv i Friedrich Ebert Stiftung (FES) tha se një prej pikave të diskutimit do të jetë gjendja lidhur me premtimet, me mbajtjen e premtimeve.

Problemi i premtimeve sipas tij, është në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë.

“Nuk është problem vetëm i Kosovës, këtë problem e kemi edhe në Gjermani. Duket të jetë një avantazh kur premton diçka, kështu gjithmonë në kohë të zgjedhjeve ata premtojnë vende të punës, kjo është e sigurt, ka njerëz që premtojnë numër ekzakt të vendeve të punës, kështu politikanët që nuk i krijojnë vendet e punës premtojnë për shembull 150 mijë vende të punës. Premtimet po vazhdojnë të bëhen madje është bërë një garë, është bërë e qartë se këto premtime në një farë mënyre janë budallallëqe”, tha ai.

Sipas tij, në njërën anë janë njerëzit që japin premtime, e anën tjetër njerëzit që nuk u besojnë premtimet duke thënë se kurrë nuk po realizohen.

“Partitë angazhohen për një qëllim, mirëpo plani i qeverisë është i qartë se çdo premtim që bëhet në mënyrë të qartë i nënshtrohet vlerësimit”, tha ai.

Jetmir Bakija hulumtues, në “Demokraci Plus” tha se nga ato programe që i kanë vlerësuar i kanë marrë 100 premtime nga partitë në koalicion PDK- AAK- NISMA dhe koalicioni paszgjedhor me AKR-në.

“(Platforma) I ka dhjetë sektorë, prej ekonomisë, politika financiare, miniera, energjia, bujqësia, arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale dhe infrastruktura”, tha ai.

Jeta Xharra drejtoreshë e BIRN Kosova, tha se platforma të tilla janë të mirëseardhura për gazetarët.

Xharra kërkoi seriozitet lidhur me këtë platformë duke e ditur që platforma të tilla kanë edhe sfida.

Xharra tregoi edhe përvojën me premtime të kryetarëve të komunave duke thënë se para 10 vjetëve kanë filluar t’i masin premtimet e kryetarëve të komunave dhe ajo çfarë i ka ruajtur, ka qenë konsistenca dhe matja e premtimeve njëjtë për të gjitha subjektet politike.

“Shumë po shpresoj që keni me qenë serioz sepse (platformë të tillë) nuk ka në tregun e shoqërisë civile, nuk ekziston për qeverisje qendrore hala. KDI është e mirë për parlament me mbikëqyr, GAP është e mirë për me i mat komunat, ne jemi në aspekt televiziv dhe nuk ekziston një platformë për qeverisje qendrore. Punë ka, nevojë ka, veç ju kisha lut me qenë serioz në këtë projekt”, tha Xharra.

Sipas saj, qytetarët janë të etur për mekanizma të cilët i masin politikat.

“Platforma prej nesh që po e shoh që më së shumti ka me bashkëpunu me juve është Krypometri, një platformë që e kemi bo para 2 viteve, që është me ua mat nivelin e krypës politikanëve. Po shpresojmë me marr material prej juve ku aty klasifikohen rrenat”, u shpreh Xharra.

E Albert Krasniqi hulumtues në KDI shpreson për jetëgjatësinë e kësaj platforme se paku deri te zgjedhjet e ardhshme.

“Edhe unë po shpresoj që ka me pasë qëndrueshmëri më të madhe ose të paktën të mbijetojë deri në zgjedhjet e ardhshme ku do të mund t’u kapemi për premtime të cilat i kanë bërë para se me ardhë në pushtet”, tha ai.

Kjo platformë ka dhjetë sektorë, platforma i vlerëson se në çfarë niveli këto premtime janë paraparë në Programin Qeverisës 2017-2021, sa nga ato premtime janë përfshirë në Buxhetin 2018, si dhe mat nivelin e realizimit të tyre përmes vendimeve qeveritare deri më tani.