Lansimi i aplikacionit "ndreqe.com | Foto: KALLXO.com

Lansohet ‘Ndreqe.com’ për Qytetarin Aktiv që Raporton Problemet

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me GIZI-n gjerman kanë bërë sot lansimin e aplikacionit “ndreqe.com”.

Rozafa Ukimeraj nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal tha se kjo platformë do t’u mundësojë qytetarëve që te raportojnë problemet në komunat përkatëse.

“Ndreqe.com është aplikacion për kërkesat e qytetarëve dhe identifikimin e deponive ilegale në të gjitha komunat. Për rritje të transparencës janë ridizajnuar edhe faqet elektronike të 38 komunave”, tha Ukimeraj.

Në lansimin e këtij aplikacioni mori pjesë edhe ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor Albena Reshtitaj e cila foli për rendësinë e aplikacionit në ngritjen e llogaridhënies së komunave.

“Kjo platformë është një mundësi e jashtëzakonshme në ngritjen e llogaridhënies së komunave. Do ta rrisë bashkëpunimin mes qytetarëve dhe institucioneve për shqetësimet qe kanë”, tha Reshitaj.

Ajo shtoi se kjo platformë do të jetë një urë lidhëse  e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ndërsa Karl Hoffman nga GIZ-i tha se “Ndreqe.com” do të ndihmojë komunat që të jenë më përgjegjëse.

“Në rrugën drejt BE-së duhet të rregullohen këto probleme. Ju keni një mundësi të madhe që përmes kësaj platforme ta mbani komunën tuaj më përgjegjëse dhe më llogaridhënëse”, tha Hoffman.

Në këtë prezantim morën pjesë edhe zyrtarë të komunave.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka tha se kjo platformë do të ofrojë komunikim drejtpërdrejt të qytetarit dhe komunës.

“Me inspektoratin jemi duke bërë një plan operativ për ta shikuar hartën e këtyre deponive ilegale dhe për të vazhduar me gjoba për ata që vazhdojnë të thejnë rregullat e mjedisit”, tha Haskuka.

Ky është viti i dytë i lansimit të këtij aplikacioni në bashkëpunim me organizatat “GIZ” dhe “Demokracia Plus”.

Në aplikacionin “ndreqe.com” qytetarët mund të ankohen për problemet të cilat hasin nëpër komuna.